E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuma e Kamenicës hap dyert për vizitorët

• KORÇE - Çelet sot ekspozita më e fundit në muzeun e Tumës së Kamenicës në Korçë. Ekspozita, e cila hapet në prag të festave të 7 dhe 8 Marsit sjell një ripërtëritje vlerash të rralla arkeologjike.Ekskluzive për këtë herë është ekspozimi i skeletit të një gruaje shtatzënë dhe fetuesit të saj 9 muajsh, një gjetje kjo e pahasur më parë, jo vetëm në rrafshin ballkanik, por edhe më gjerë. Zbulimi i skeletit të një njeriu që mendohet të ketë vdekur 6 shekuj para erës sonë u bë 8 vjet më parë dhe u desh dërgimi në Gjermani, ku specialistët krijuan trupin e gruas dhe fetusit të saj. Ndërkohë që mësohet se në inventarin e këtij muzeu gjenden 3500 objekte, që nga mënyra e prodhimit dhe me zbukurimet e tyre kanë filluar të tërheqin vëmendjen e shumë vizitorëve, por veçanërisht të arkeologëve nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë filluar të vijnë për të parë këtë muze. Përveç objekteve arkeologjike, vizitorët do të kenë mundësi të njihen edhe me mënyrën e ndërtimit të vetë muzeut, ku është ruajtur origjinaliteti i vendosjes së varreve, tipat e tyre, por edhe me fenomene të tjera që nuk mund t'i kenë njohur më parë, siç është ajo e djegies së kufomave. Sipas arkeologut Skënder Aliu, ekspozita pasuron njohjen dhe kulturën e vizitorëve. Sipas tij, këtë herë vizitorëve u ofrohet transporti falas që nga Korça në fshatin Kamenicë. Gjithashtu, për hapjen e kësaj ekspozite është propaganduar edhe në tre rrethet e tjera të Korçës, çka pritet të pasohet me ardhjen e shumë vizitorëve. Tuma e Kamenicës është një nga muzetë arkeologjikë që pati zhvillim të shpejtë nga momenti kur u hodh kazma e parë derisa u bë një muze i vizitueshëm.                j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›