Berat, 25-vjeçari i vrarë, pas dy javësh dhëndër
BERAT – Pas dy javësh do të martohej, por mbeti i vrarë nga tre plumba, duke ndërruar jetë në qendrën spitalore “Nënë Tereza” rreth orës 20:00 të së hënës. Ndërkaq, familjarët e 25-vjeçarit kanë kërkuar nga drejtësia që të zbardhin vrasjen e djalit të tyre, të cilën e konsiderojnë të papranueshme për vetë faktin që Ferdinanti ishte një person i qetë, i cili nuk kishte pasur kurrë probleme.
Mëngjesin e djeshëm Berati u zgjua me emrin e Ferdinant Gjatës në qendrat e njoftimeve. Megjithëse ora ishte rreth 07:00, banorët u mblodhën për të parë njoftimin që tregonte vdekjen e 25-vjeçarit dhe ftimin që bënte familja për në varrim. Ndërkaq, të gjitha mediat kishin publikuar tentativën për ta vrarë në kryeqytet nga persona të panjohur dhe më pas vdekjen në spital për shkak të plagëve të marra. Ndërsa pyesnin njëri-tjetrin për ngjarjen, gjithçka zbardhej për banorin e qytetit të tyre.
Familjarët e Ferdinant Gjatës, banor në lagjen “Çelepia” të qytetit të Beratit u shprehën se 25-vjeçari ishte larguar nga shtëpia rreth gjashtë muaj më parë për të punuar në kryeqytet për të siguruar para për familjen e tij të madhe. Mësohet se ai jetonte në një shtëpi me qira dhe ditën që ndërroi jetë kishte komunikuar me familjarët pa shprehur asnjë lloj shqetësimi. Ndërkaq, nga ana e policisë lokale, e cila kreu verifikimet me kërkesën e policisë së Tiranës, u bë e ditur se Gjata nuk kishte qenë asnjëherë subjekt i ndonjë grindjeje apo problemi që mund të ketë ndodhur në këtë qytet, duke hequr dyshimet për ndonjë konflikt të mundur të mëparshëm të 25-vjeçarit. Familjarët e të riut bënë të ditur se kohët e fundit ai po punonte në një lokal lojërash fati dhe se vdekjen e tij e kishin mësuar nga mediat. Ndërkaq ata kërkojnë nga shteti gjetjen e autorëve të krimit. “Ne i bëjmë apel shtetit dhe policisë që tashmë të bëjnë punën e tyre dhe të gjejnë autorët të cilët vranë pa asnjë shkak Ferdinandin tonë, i cili ishte i pafajshëm”,- thonë familjarët. Ferdinand Gjata mësohet se ishte djalë i rregullt. Çdo javë ai shkonte në Berat, pasi ishte i fejuar dhe pas dy javësh do të martohej me Fatmën, një vajzë nga Kavaja e ndërkohë po bënin përgatitjet e dasmës. Në komunikimin e fundit me familjen, djali kishte pohuar se ishte mirë dhe se do të vinte në shtëpi pasi të merrte paratë e rrogës.
Ferdinand Gjata ndërroi jetë mbrëmjen e së hënës në Tiranë. Ai mbërriti në urgjencë pasi kishte marrë tri plagë në kraharor me armë zjarri. Djaloshi kishte mundur t’iu jepte mjekëve gjeneralitetet e veta, si dhe numrin e celularit të të vëllait, çka më pas iu dha edhe policisë. Trupi i pajetë i të riut u përcoll dje rreth orës 13:00 për në banesën e fundit, në varrezat e “Burdulliasit”.