E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasuria, dorëhiqet prokurori i Durrësit

VENDIMI/ Arjan Ndoja vendosi që të largohet nga posti për t’i hapur rrugë hetimeve pas akuzës që u ngrit ndaj tij

Kreu i organit të akuzës deklaroi se dyshimet e ILDKP-së kishin të tjera prapaskena që ai shpresonte të shuheshin

DURRËS – Pas dyshimeve të ngritura nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive për 83 mijë eurot e pajustifikuara të pasurisë së prokurorit të Durrësit, ky i fundit ka vendosur të reagojë duke dhënë dorëheqjen. Arjan Ndoja thirri në një konferencë për shtyp mediat dje dhe komunikoi se kishte vendosur që t’i jepte kreut të organit të akuzës, prokurores Ina Rama, aktin e dorëheqjes së vet nga posti që mban, në mënyrë që t’i hapë rrugë denoncimit penal të bërë ndaj tij nga ILDKP-ja. Por, pavarësisht këtij veprimi, që ai e quajti si një ndërgjegjësim për t’i dhënë njerëzve më shumë arsye për të besuar në drejtësi, Ndoja aludoi se akuzat e ngritura ndaj tij kishin një tjetër prapavijë. Ai u shpreh se kundër tij deri më tani ka funksionuar një skemë, që ai shpresonte se do të pushonte së ekzistuari bashkë me dorëheqjen e tij nga posti si drejtues i prokurorisë së Durrësit. Sipas Ndojës, deklarimi i pasurive i kryer prej tij ishte bërë konform rregullave, por me gjithë këtë, ai ishte i detyruar që t’i hapte rrugë hetimit nëpërmjet një akti civil siç është dorëheqja. Në fjalën e vet, Ndoja e cilësoi dorëheqjen si pjesë e transparencës së plotë që duhet të krijojë një jurist, megjithëse ai mendonte se kallëzimi i depozituar kundër tij nuk ka asnjë bazë ligjore. Në deklaratën e bërë para mediave, Ndoja u shpreh se prokuroria e vendit ende nuk është një organ i pavarur. Këtë ai e përcolli përmes deklaratëse se “sot është koha që prokuroria të bëhet institucion i pavarur”. Ai tha se duhet hequr dorë nga fjalët dhe se popullit duhet t’i kthehet me vepra besimi i tij tek drejtësia. Prokurori deklaroi se është plotësisht i gatshëm që të përballet publikisht me akuzat e ngritura kundër tij. Në përfundim të deklaratës zyrtare të dorëheqjes ai tha: “Mendoj se e gjithë skema që ka funksionuar deri tani, merr fund me dorëheqjen time”,- duke lënë të nënkuptohej se pas sulmeve ndaj personit të tij fshiheshin qëllime të tjera të politikës së momentit. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka denoncuar kryetarin e prokurorisë së Durrësit, të cilin e akuzon për fshehje të pasurisë. Arjan Ndoja ka deklaruar se brenda një periudhe të shkurtër, ka fituar nga puna e tij si avokat 743 mijë euro. Por në deklarimin e pasurisë nuk ka mundur që të tregojë burimin e të ardhurave, duke mbetur “mangët” 86 mijë euro. Por Inspektorati ka pohuar se ka dyshime edhe për pjesën tjetër të parave, pasi mënyra se si janë bërë ato është shumë e çuditshme. Tashmë do t’i takojë Prokurorisë së Përgjithshme të zbulojë të vërtetën për vartësin e saj.

REAGIMI

Ina Rama nuk e pranon dorëheqjen e Ndojës

Megjithëse një dorëheqje e bujshme ajo e prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, për t’i hapur rrugë hetimit që do të kryhet për mënyrën se si është vënë pasuria e tij, prokurorja e Përgjithshme duket se nuk ka qenë në një mendje me vartësin. I emëruar prej saj në krye të prokurorisë së Durrësit, Rama e ka gjykuar jo të pranueshme largimin e tij deri në përfundimin e hetimeve. Si rrjedhojë, ajo ka vendosur për Ndojën “pezullimin nga puna të drejtuesit deri në përfundim të hetimeve”, duke e lënë kreun (tashmë ish-kreun) në rolin e prokurorit të thjeshtë deri në çastin që do të mbyllet dosja. F.V.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›