Sejdiu-Thaçi, S' lejojmë zbatimin e planit 6-pikësh
Përgjigja e Prishtinës ndaj raportit të sekretarit të përgjithshëm mbetet e njëjtë. Presidenti dhe kryeministri i Republikës së Kosovës kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët lidhur me raportin e sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-Moon për vendosjen e EULEX-it në Kosovë.
Në këtë deklaratë ata kanë bërë thirrje që të sigurohet se masat që ndërmerren për lehtësimin e vendosjes së EULEX-it, të bëhen në koordinim dhe konsultim të plotë me institucionet e Republikës së Kosovës.
“Kemi marrë në dijeni se sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka lëshuar raportin e tij për Kosovën dhe se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet për ta shqyrtuar këtë raport”- thuhet në deklaratën e përbashkët.
Sipas saj, Raporti mbulon, mes tjerash, të ashtuquajturin plan ‘gjashtë pikësh’ të Kombeve të Bashkuara.
Në deklaratën e 18 nëntorit, institucionet e Republikës së Kosovës, sipas Thacit dhe Sejdiut, e kanë bërë të qartë pozicionin e vet për gjashtë pikat dhe refuzimin e këtij dokumenti në tërësi. “Të njëjtin qëndrim refuzues e kemi edhe sot”- thanë ata, duke shtuar se kanë marrë në dijeni se refuzimi i gjashtë pikave nga ana e Kosovës është pasqyruar, përkatësisht përfshirë, në raportin e sekretarit të përgjithshëm, ashtu si edhe
deklarata jonë e qartë se mirëpresim vendosjen e EULEX-it në tërë Kosovën, dhe do të punojmë për të lehtësuar atë vendosje.
“Përgjigjja jonë ndaj raportit të sekretarit të përgjithshëm mbetet e njëjtë. Jemi të bindur se nuk mund të lejohet implementimi i gjashtë pikave në çfarëdo mënyre që shkel sovranitetin e Republikës së Kosovës. U bëjmë thirrje miqve tanë, zëri i të cilëve është dëgjuar tashmë qartë në mbrojtje të sovranitetit tonë, të sigurojnë se masat që ndërmerren për lehtësimin e vendosjes së EULEX-it të bëhen në koordinim dhe konsultim të plotë me institucionet e Republikës së Kosovës”- thanë ata.
Presidenti dhe kryeministri kanë shprehur besim të plotë në miqtë e Shteteve të Bashkuara, në Bashkimin Europian dhe NATO dhe janë shprehur të interesuar të shohin vendosjen e EULEX-it në tërë Kosovën mbi bazë të parimeve të paraqitura në Deklaratën tonë të përbashkët të 18 nëntorit, si garanci për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Ata kërkojnë nga Bashkimi Europian të nisë vendosjen e EULEX-it posa të jetë e mundshme nga aspekti operacional.
“Ky është një moment në të cilin nevojitet një qasje e qetë dhe e vendosur. Çfarëdo përgjigje tjetër vetëm sa do t’i kënaqte ata të cilët dëshirojnë të provokojnë Kosovën dhe të na shohin duke vepruar në mënyrë të padinjitetshme. Nuk do t’ua japim atë kënaqësi”-vazhduan më tej.
Ata kanë garantuar për bashkëpunimin me miqtë dhe partnerët për të arritur qëllimin tonë të përbashkët – vendosjen e EULEX-it në tërë Kosovën dhe kanë kërkuar përkrahje nga i gjithë spektri politik dhe shoqëria civile në Kosovë. /Telegrafi/