E Diel, 1 Nëntor 2026

Stop dhunes së qytetareve në komisariate

Tiranë- “Stop revanshit të dhunës mbi qytetarët dhe rikthim të autoritetit të ligjit nëpër qelitë dhe mjediset e policisë së shtetit”. Me këtë thirrje publike i është drejtuar sot deputeti socialist Pirro Lutaj, ministrit të Brendshëm zotit Nishani dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotit Ahmet Premci. Deklaratë që vjen fill pas asaj të bërë një ditë më parë nga Amnesty International për përplasjen mes policisë dhe Avokatit të Popullit.

Ai i është bashkuar shqetësimit qytetar dhe reagimeve të ashpra institucionale për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe ushtrimin e dhunës në mjediset e Policisë së Shtetit dhe prej policëve të shtetit. Sipas tij, këto janë shqetësimi serioz për Partinë Socialiste, e cila sjell në kujtesë rastet e përsëritura të dhunës së ushtruar në Vlorë, Peqin, Sarandë e Shkodër. Raste që flasin qartë për deformimin e imazhit të policisë si institucion që mbron dhe garanton sigurinë e qytetarit.

“Shpeshtimi i këtyre rasteve, dëshmojnë tendencën e krijimit të policisë elektorale prej strukturave politike të qeverisë Berisha. Këto raste, janë argumente që kanë sjellë reagime të menjëhershme institucionesh dhe organizmash kombëtare e ndërkombëtare”- tha Lutaj.

Ai e quan një rast të paprecedentë përplasjen me policisë dhe Avokatit të Popullit, pas denoncimit të dhunës së ushtruar në polici mbi një 20-vjeçar në qytetin e Shkodrës.

“Ky rast i paprecedent në praktikën e deritanishme të marrëdhënieve mes institucionit të Policisë së Shtetit dhe Avokatit të Popullit, për Partinë Socialiste shërben si argument për një alarm dhe apel drejtuar qeverisë”- tha ai, duke shtuar se kjo ndodh pikërisht në ditët kur Komiteti i Ministrave miratoi deklaratën për veprimin e Këshillit të Europës për të përmirësuar mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe promovuar aktivitetet e tyre.

Kur policia e një vendi shfaq dhunë dhe presion të hapur mbi qytetarët, sipas Lutajt, atëherë shteti kërcënohet prej devijimit nga të qenit shtet i së drejtës, në shtet të diktatit e më pas të dhunimit.

Partia Socialiste, ka vazhduar më tej ai, reagon edhe më e shqetësuar pas njohjes me deklaratën e Amnesty International, organizatë kjo prestigjioze që së fundi i është drejtuar me një deklaratë të pazakontë, Ministrit të Brendshëm Bujar Nishani.

Në emër të PS-së ai ka kërkuar nga dy titullarët të respektojnë ligjin për aksesin dhe mundësinë e ushtrimit të detyrës prej institucioneve e organizmave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. “Ata duhet të nxjerrin para përgjegjësisë gjithë personat e implikuar në rastet e përmendura në raporte apo letra zyrtare”- përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›