Djali i Azem Hajdarit: Isha i pirë në përplasjen me policinë
TIRANË- Djali i Azem Hajdarit, Kirjoli, përballet me gjykatën për të dëshmuar mbi përplasjen e tij me një punonjës policie. “Nuk mbaj mend shumë gjëra të asaj nate, pasi kisha pirë pak alkool”,- e filloi dëshminë e tij djali i Azem Hajdarit para togave të zeza të Gjykatës së Tiranës, ku ishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit të akuzës, në procesin gjyqësor të hapur ndaj shefit të krimeve, Oltion Bistri.Ky i fundit u pushua nga puna dhe u arrestua për disa kohë, edhe pse pati mjaft dëshmitarë se korrikun e vitit 2007, ishte Kirjoli ai që e nxiti konfliktin. Sipas deklarimeve të dhëna para gjykatës, 23- vjeçari Hajdari ishte disi kontradiktor në shpjegimet që bëri, duke ndryshuar detajet gjatë pyetjeve të prokurorit dhe atyre të avokatit mbrojtës të ish-shefit të krimeve në zonën e ish-Bllokut, Oltion Bistri.
“Ka qenë mesnatë, duke u gdhirë data 3 korrik, ku bashkë me disa shokë po dilnim nga një PUB që ndodhej në rrugën “Vaso Pasha” më duket. Në kohën që po ndaheshim me pronarët e lokalit dhe kamerierët kanë ardhur disa makina të policisë dhe furgonë të grupit të gatshëm, të cilët nën ushtrimin e dhunës na kanë shoqëruar në komisariat. Nuk më kujtohet saktësisht mirë se kisha pirë pak alkool, por mbaj mend se një person i veshur me bluzë apo këmishë të bardhë, që mesa mora vesh pastaj, kishte qenë shefi i krimeve i zonës (për Oltion Bistrin), erdhi nga pas e më kapi krahun dhe ma përdrodhi. Në pjesën e pasme të gjurit më goditi me këpucë dhe më pas më vuri këpucën në shpinë. Kur bëra të ngrihesha kuptova që nuk e komandoja dot dorën. Kuptova që duhej ta kisha thyer, por në fakt nuk kisha dhimbje, sepse isha pak i nxehtë nga alkooli. Më pas më futën nën ushtrimin e dhunës në një makinë të vogël policie dhe më dërguan në komisariat”,-tha denoncuesi i ish-shefit të krimeve të zonës së ish-Bllokut. Ndërkohë në përgjigjet e pyetjeve të mbrojtësit ligjor të të pandehurit Bistri, djali i Azem Hajdarit u tregua paksa kontradiktor me ato që deklaroi më parë, duke shtuar se: “personi që erdhi nga pas më goditi me shkop gome dhe më pas më përdrodhi krahun, me ndihmën e shkopit të gomës”.
Kirjol Hajdari ka shtuar disa herë para gjykatës se nuk e mbante mend mirë se ç’kishte ndodhur me detajë atë natë, për shkak se kishte konsumuar alkool. I pyetur nga avokati i Bistrit se çfarë veprimesh kishte kryer atë natë, Kirjol Hajdari u shpreh se: “nuk mbaj mend mirë se jam treguar i dhunshëm apo jo, pasi kisha pirë pak. Di që u kam thënë policëve që jam djali i Azem Hajdarit dhe ata nuk ndaluan së qëlluari”,-mësohet të ketë thënë para gjykatës 23- vjeçari Hajdari. Pas dëshmisë së 23- vjeçarit, gjykata ndërpreu seancën gjyqësore, duke e shtyrë atë për një datë tjetër për thirrjen e dëshmitarëve të tjerë të organit të akuzës. Ndëkaq, sipas vetë ish-shefit të krimeve, Bistri, ka qenë ora 3:00 e mëngjesit duke zbardhur data 3 korrik 2007, kur është lajmëruar nga salla operative se në kryqëzimin e rrugës “Vaso Pasha”, pranë një PUB-i disa të rinj të moshave të ndryshme po konfrontoheshin fizikisht. “Në momentin e mbërritjes time, në vendngjarje kishin arritur pesë makina të “Shqiponjave” me rreth 8 efektivë të policisë, të cilët po mundoheshin t’i ndanin të rinjtë. Në ato momente kanë ardhur edhe dy furgonët e grupit të gatshëm, me të cilët jemi hedhur në veprim për t’i ndarë dhe qetësuar të rinjtë. Gjatë ndërhyrjes sonë, kemi vënë re një të ri që ishte shtrirë dhe po ankohej për dhimbje krahu, pasi ishte konfliktuar me “kundërshtarët” e tij. Më tha një koleg se është djali i Azem Hajdarit dhe po ankohej pse ndërhyjmë dhe në kohën që dy policë donin ta ndihmon ai i shtyu duke qëlluar makinat e policisë me shqelma e grushte”,-ka thënë ish-shefi i krimeve në Bllok. Ndaj tij, prokuroria ka ngritur akuzën e “tejkalimit të kompetencave të punonjësit të policisë” dhe gjykohet në gjendje të lirë.