Konflikti, ekzekuton të shoqen dhe pronarin e tokës
Ngjarja
Familja Shehu, disa vite më parë kishte ndërtuar shtëpinë disa kilometra larg qendrës së Saukut në Tiranë. Tokën ia kishin blerë shtetasit Xhevdet Brahimi, i cili jeton në Tiranë. Sipas banorëve të lagjes mësohet se Brahimi i ka thënë 72-vjeçarit Halim Shehu se ullinjtë të cilët ndodheshin në tokën ku ai kishte ndërtuar shtëpinë do t’i vilte vetë, gjë për të cilën ka rënë dakord i moshuari. Mirëpo një gjë të tillë e ka mohuar ditët e fundit, duke mos e lejuar Brahimin të afrohet në banesën e tij dhe të vjelë ullinjtë. Dje, rreth orës 19:00 të pasdites Xhevdet Brahimi ka shkuar në banesën e Shehut, ku ka gjetur bashkëshorten e tij, 67-vjeçaren Fatime Shehu. Pas një bisede të shkurtër mes tyre në oborrin e shtëpisë, ka mbërritur Halimi i cili ka nisur të debatojë me Brahimin. Pas debatit, 72-vjeçari ka hyrë në ambientet e brendshme të banesës dhe ka dalë brenda pak sekondash i armatosur. Ai ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të pronarit të tokës, duke e lënë të vdekur në vend, në oborrin e shtëpisë. Gruaja e tij, Fatimeja ka dalë menjëherë nga shtëpia duke kritikuar burrin e saj për krimin që kreu. “Çfarë bëre kështu. Si e vrave. Na solle gjëmën” -mësohet të kenë qenë fjalët Fatime Shehut të cilat kanë qenë edhe të fundit. Pasi bashkëshorti i saj i irrituar dyshohet se nuk ka pranuar “akuzat” e gruas së tij, ndaj dhe ka zbrazur armën mbi të, duke e lënë të vdekur në ambientet e brendshme të shtëpisë.
Vetëdorëzimi
Djali i çiftit Shehu ka mbërritur në banesë, sapo ka dëgjuar krismat,por ka qenë tepër vonë për të shpëtuar nënën e tij. Burime nga policia thanë se ka qenë djali i autorit, i cili e ka dorëzuar atë në polici. Ndërkohë që forca të shumta të policisë si dhe specialistët e zyrës së vrasjeve pranë drejtorisë së policisë së Tiranës mbërritën në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat. Pas këqyrjes së vendit ku ndodhi krimi, policia shoqëroi në komisariat të afërm të autorit si disa fqinj të tij. “Pas hetimeve të para dyshohet se shkaku i kësaj ngjarjeje ka qenë një konflikt pronësie mes autorit dhe viktimës. Ende nuk është sqaruar plotësisht por dyshohet se autori kishte ndërtuar shtëpinë në tokën e Brahimit. Ky i fundit pretendonte ullinjtë që gjendeshin pranë shtëpisë së Shehut, gjë e cila nuk është pranuar prej tij, i cili nuk ka lejuar që ai të afrohej më në banesë. Por një tjetër pistë është ajo e mos shlyerjes së parave të tokës ku Shehu kishte ndërtuar shtëpinë”, -thanë burimet policore të cilat shtuan se gjithçka pritet të sqarohet nga deklarimet e familjarëve të autorit e viktimës.
Halim Shehu, në gjendje të rënduar psikologjike. Rrëfen krimin e dyfishtë në polici
I moshuari në polici: Pse e vrava time shoqe
Xhevdet Brahimi nuk ishte mysafir i Halim Shehut. Ai nuk e kishte ftuar ndaj dhe e vrau në derë të shtëpisë së tij, vetëm pas një sherri me të. Të paktën kështu ka deklaruar në polici 72-vjeçari i cili ndodhej në gjendje të rëndë psikologjike. Prej vitesh, Shehu kishte qenë bari bagëtish ndërsa kohët e fundit qëndronte në shtëpi për shkak të moshës së thyer. Ditën e djeshme ai është përballur sërish me Brahimin, pronarin e tokës ku i moshuari kishte ndërtuar shtëpinë, me të cilin kishte dhe një konflikt për çështje pronësie. Një sherr mes tyre ka çuar që 72-vjeçari të përdorë armën. Ai e ka zbrazur atë jo vetëm në drejtim të Brahimit por edhe mbi gruan e tij. Kjo e fundit e pagoi me jetë, kritikën që i bëri bashkëshortit për krimin që kreu. “Ajo po më ulërinte se vrava pronarin e tokës dhe unë nuk doja ta vrisja, por isha jashtë kontrollit”- mësohet të ketë deklaruar në polici i moshuari. Ka qenë djali i autorit i cili sapo ka mbërritur në banesa ka gjetur babain e tij me armë në dorë, ndërsa një kufomë gjendej në oborrin e shtëpisë dhe trupi i pa jetë i nënës së tij në ambientet e brendshme të shtëpisë. Djali ka bindur të atin të vetëdorëzohet në polici. Burime nga policia thanë se fillimisht për ngjarjen ka treguar djali pasi autori ndodhej në gjendje të rëndë psikologjike.
KRIMI
Vrasja e dyfishtë, tronditje në Sauk
TIRANË- Vrasja e dyfishtë ka tronditur jo pak banorët e Saukut. Njerëz të shumtë kanë mbërritur pranë banesës ku ndodhi krimi për të mësuar rreth detajeve. Pothuajse një pjesë e mirë e fqinjëve të familjes Shehu kishin dijeni për konfliktin e pronësisë mes autorit dhe viktimës, por kurrë nuk e kishin menduar se gjithçka do të përfundonte në vrasje dhe se viktimë mund të ishte edhe 67-vjeçarja Fatime Shehu. “Halimi më parë kishte pranuar që Brahimi, i cili ka pasur edhe tokën ku ai ka ndërtuar shtëpinë të vilte ullinjtë ndërsa thuhet se tashmë një gjë të tillë nuk e ka pranuar, pasi nuk donte që të mblidhte ullinj duke iu afruar shtëpisë së tij. Tani është koha e ullinjve dhe Brahimi ndaj kishte ardhur. Ne kishim dijeni për konfliktin megjithëse nuk kishte aq i nxehtë sa të përfundonte në vrasje, por nuk dihet gruan pse e vrau” -tregon i habitur një banor i zonës ku ndodhi krimi.