Berat, 3 shkëmbinj të tjerë gati në të rënë
BERAT - E gjithë pjesa shkëmbore që ndodhet mbi faqen ballore të lagjes "Mangalem" përbën rrezik rrëshqitjeje. Të paktën edhe tre masive të tjerë shkëmborë janë gati në shembje, çka ka vënë në panik banorët. Këtë fakt e pohuan dje specialistët gjeologë, të cilët bashkë me një staf të ardhur nga Tirana që drejtohej nga zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Poni inspektuan zonën. Pas inspektimit, ata dhanë alarmin për rrezikun e shembjes së masivëve të tjerë. Nga kjo rrezikohet një pjesë e mirë e lagjes "Mangalem", rreth 60 shtëpi që ndodhen përreth këtij territori. Zv/ministri Poni, theksoi se është e nevojshme një ndërhyrje e shpejtë dhe e studiuar në këtë zonë. Sipas tij, për këtë ndërhyrje do të duhet bashkërendimi i punës së shumë institucioneve e ministrive, duke përzgjedhur mes 2 metodave, asaj të vendosjes së perdeve të varura ose të mbështetura në faqen e malit, apo metodën e kolonave për të krijuar një mur që të evitojë rrezikun në këtë lagje. Në lidhje me 3 masivët e tjerë shkëmborë që sipas specialistëve rrezikojnë të bien, Pone theksoi se do të jenë ekspertët gjeologë që do të matin marshin e veprimit të këtyre masivëve, për të përcaktuar më pas edhe kohën e ndërhyrjes në to. Kryetari i Rajonit bashkiak Nr. 2, të lagjes "Mangalem", Venetik Çela u shpreh se, e gjithë pjesa shkëmbore përbën një rrezik rrëshqitjeje. Pronari i një rrobaqepësie, Behar Qypi, çatia e të cilës u dëmtua u shpreh se kanë frikë në shtëpitë e tyre. "Me gjithë tmerrin që kemi parë, këta 3 shkëmbinjtë e tjerë që thuhet se mund të bien, po na tmerrojnë më shumë", tha ai. Mësohet se tre familje janë evakuuar nga frika dhe janë vendosur tek të afërmit e tyre derisa të ndërhyhet tek masivi i shkëmbinjve që është gati në rënie. d.xh