Pagat e gjyqtarëve, bie padia
Fatos Mahmutaj
Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e Unionit të Gjyqtarëve në lidhje me përcaktimin e ligjit të ri "Për pagat e togave të zeza të Krimeve të Rënda". Vendimi është shpallur mesditën e djeshme kur është vendosur që dy fjalitë e ligjit të gjyqësorit, që u kushtojnë rreth 20% ulje page togave të zeza të Krimeve të Rënda, do të mbeten ashtu siç i ka miratuar Parlamenti në shkurt të vitit të kaluar. Kështu, në prill të këtij viti Gjykata Kushtetuese dëgjoi pretendimet e kërkuesit, Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, përfaqësuar nga dy gjykatësit e Krimeve të Rënda Sandër Simoni dhe Luan Hasneziri. Ata u kundërshtuan nga përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Financave dhe Kuvendit, ndërsa Zyra e Administrimit të Buxhetit të Gjyqësorit ka mbështetur Shoqatën e Gjyqtarëve. Objekti i kërkesës ishte: "Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i fjalisë: 'Paga bazë e gjyqtarit të Faktit të Krimeve të Rënda është e barabartë me 50% të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë'; si dhe: 'Mbi këtë pagë, për kushte të veçanta pune, shtohet 10%'. Të dyja këto fjali ndodhen në nenin 26/2, të ligjit të gjyqësorit. Më parë, ligji "Për gjyqësorin" kishte vendosur që pagat e gjykatësve të Krimeve të Rënda të ishin 60% të pagës së togave të zeza të Shkallës së Tretë. Gjykatësit e Krimeve të Rënda kanë pretenduar në Kushtetuese se ulja e pagave të tyre nga 60% në 50% të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, bie ndesh me nenin 138 të Kushtetutës, në të cilin sanksionohet se, "Koha e qëndrimit të gjyqtarëve në detyrë nuk mund të kufizohet; paga dhe përfitimet e tjera të tyre nuk mund të ulen". Duke argumentuar në këtë linjë, UGJSH pohon se nëpërmjet rregullit përjashtimor, sipas nenit 43/5 të ligjit të gjyqësorit janë krijuar diferencime të paarsyeshme në pagë ndërmjet gjyqtarëve të Krimeve të Rënda. Kjo, për arsye se nga njëra anë, gjyqtarëve në detyrë u ruan nivelin e mëparshëm të pagës prej 60% të anëtarit të Gjykatës së Lartë, ndërsa gjyqtarët e rinj i paguan me 50%. Sipas Kushtetueses, ligji i gjyqësorit e ka ulur në dukje pagën bazë të gjyqtarit të Krimeve të Rënda, por vlerësohet se një ndryshim i tillë në sistemin e pagave të pushtetit gjyqësor nuk prek në thelb pagën e gjyqtarit. "Pikërisht, për shkak të ndërtimit të drejtë të sistemit të pagave të pushtetit gjyqësor, ligji ka parashikuar një shtesë prej 10% mbi pagë për gjyqtarët e Krimeve të Rënda për shkak të kushteve të veçanta të punës.
Zyra e Buxhetit pro gjyqtarëve
Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, si subjekt i interesuar, në materialin me shkrim, dërguar në Kushtetuese për çështjen e iniciuar nga UGJSH, nuk është shprehur lidhur me objektin e kërkesës, por ka arsyetuar se argumentet financiare që janë parashtruar nga kërkuesi janë korrekte, përsa i përket përllogaritjeve të bëra për përcaktimin e pagës së gjyqtarëve të Krimeve të Rënda përpara dhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.