Vrasja e "Dodës", gjendet i braktisur motori i autorëve
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Ish-drejtori i policisë së Elbasanit, Edmond Koseni pritet të merret në pyetje për vrasjen e badigardit të tij, Roland Rexhepi. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se në listën e personave, që do të merren në pyetje për të ndihmuar në zbardhjen e vrasjes mafioze do të jenë edhe persona që kanë punuar me 42-vjeçarin. Këtu ata nuk përjashtuan as Kosenin, i cili në periudhën 1998-2001 e ka pasur viktimën badigardin e tij. Një fakt i tillë nuk u përjashtua as nga krye-prokurori i Elbasanit, Elvin Gokaj. "Nëse do të jetë e nevojshme, në pyetje do të merret edhe ish-drejtori i policisë së Elbasanit Edmond Koseni, i cili mund të na ndihmojë në lidhje me identifikimin e autorëve", u shpreh kryeprokurori. Megjithatë, sipas tij kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur të jetë konstatuar se vrasja është kryer pikërisht për shkak të periudhës që viktima Rexhepi ka punuar si truprojë e ish-drejtorit të Policisë së Elbasanit. Aktualisht, pista kryesore në të cilën grupi i hetimit është përqendruar janë pikërisht incidentet e mundshme të 42-vjeçarit në periudhën kur rendi në Elbasan mbikëqyrej nga Koseni. Gjatë asaj periudhe janë regjistruar mjaft incidente me të ashtuquajturit të fortë të Elbasanit, pjesë e bandave të ndryshme. Për këtë shkak, dyshohet se vrasja të ketë motiv hakmarrjen. Por nuk përjashtohet asnjë pistë tjetër e mundshme për t'u hetuar. Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje momentalisht është duke administruar dhe punuar me provat shkencore, të cilat janë gjendur në vendngjarje. Një provë mjaft e fortë do të jetë edhe motori me të cilin janë larguar autorët. Dje pasdite, kalimtarë të rastësishëm lajmëruan policinë për një motor me ngjyrë të zezë të braktisur, madje të hedhur në disa ferra, në afërsi të spitalit të Elbasanit. Dyshohet se mjeti është ai i përdorur nga autorët. Sipas policisë, ai ishte braktisur në linjë ajrore rreth 200 metra larg vendit ku u vra Rexhepi. Dyshohet se vrasësit i ka pritur një tjetër mjet pikërisht në këtë vend. Tashmë e gjithë vëmendja është përqendruar tek provat e grumbulluara në vendngjarje, të cilat duken se janë arma më e fortë për momentin që ka policia e Elbasanit. Ndërkohë sipas burimeve, nga dita e vrasjes së ish- punonjësit të policisë Rexhepi e deri tani janë marrë në pyetje afërsisht 100 persona. Pasi janë pyetur dhe u janë marrë gjurmët e gishtave ata janë lënë të lirë. Të tjerë persona, pritet të merren në pyetje nga ana e specialistëve të krimeve të rënda, ndër të cilët do të jenë miq, të afërm apo persona që kanë punuar ndër vite me 42-vjeçarin. Dëshmia e tyre mund të ndihmojë në zbardhjen dhe identifikimin e autorëve, të cilët deri më dje janë ende mister.