E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, 3 të vdekur dhe 9 të plagosur në aksidente

Brenda pak orësh kanë ndodhur dy aksidente të rënda. Plagosen familjet që do shkonin në festën e bektashinjve

BERAT- Tre persona kanë gjetur vdekjen ndërsa nëntë të tjerë ndodhen në spital si pasojë e dy aksidenteve automobilistikë të ndodhur në zonën e Beratit në orët e para të ditës së djeshme.

Aksidenti i parë ka ndodhur rreth orës 01:45 në aksin rrugor që lidh qytetin e Beratit me fshatin Drobonik. Makina e tyre ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në humnerë duke sjellë vdekjen e menjëhershme të dy personave dhe plagosjen e një tjetri. Drejtuesi i një makine të rastit ka dëgjuar thirrjet për ndihmë të të plagosurit të tretë të aksidentit. Thirrjet për ndihmë që vinin nga pjesa jugore e bregu të lumit Osum ku kish përfunduar makina në humnerë. Ekspertët e komisariatit të policisë Berat së bashku me grupin e gatshëm kanë udhëtuar menjëherë drejt vendit të ngjarjes, në aksin e vjetër rrugor që lidh këtë qytet me Tepelenën. Menjëherë mësohet të jetë lokalizuar zona ku kish rënë mjeti dhe pas pak minutash kanë nxjerrë dy trupat e pa jetë si dhe të plagosurin. Neritan Likollari ka mbërritur me urgjencën e spitalit në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e plagëve të shumta të marra në trup dhe frakturave në gjymtyrë. Ai ka marrë ndihmën e parë shëndetësore dhe ndodhet nën terapi intensive ende në gjendje kritike për jetën. Në morgun spitalit kanë mbërritur më pas trupat e pajetë të viktimave Kudret Oboni, 37 vjeç, dhe Klodian Arapi, 25 vjeç. Ekspertët e qarkullimit rrugor që mbërritën në vendin e ngjarjes nga hetimet e para deklaruan se shkak i aksidentit që i mori jetën dy personave dhe shkaktoi plagosjen e një tjetri është bërë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit të mjetit, 37- vjeçarit Oboni. Ky i fundit, ndërsa udhëtonte me shokët e tij me mjetin personal tip fuoristradë " Nisan" me targa “ZA 302JJ” për në hyrje të qytetit ka humbur kontrollin si pasojë e shpejtësisë dhe është përplasur me bordurën në anë të rrugës dhe më pas mjeti ka përfunduar në buzë të lumit Osum. Oboni me shokët e tij kishin darkuar në një lokal në Berat dhe më pas kishin vendosur të pinin në një bar që ndodhet në aksin rrugor Berat- Drobonik.

Aksidenti i dytë ka ndodhur pak orë më pas duke sjellë vdekjen e një personi që kishte marrë pjesë në festën e Kulmakut. Në aksident janë plagosur edhe shtatë persona të tjerë. Pjesëtarët e dy familjeve peligrine mësohet se janë aksidentuar rëndë ndërsa udhëtonin me një mjet drejt malit Tomorr. Makina tip Benz me targa “LU 5787 B”, që drejtohej nga Agim Saliasi, mësohet se ka dalë nga rruga duke përfunduar në greminë. Një 15- vjeçare ka gjetur vdekjen e menjëhershme, një 13- vjeçar, ka përfunduar i plagosur rëndë, ndërsa shtatë persona të tjerë kanë ngelur të lënduar lehtë. Burime të komisariatit të policisë Berat bëjnë me dije se në mjet mësohet se udhëtonin dy familje nga fshati Kosovë, i rrethit të Lushnjes. Familjarët Saliasi dhe Koxhaj, të afërm mes tyre, mësohet se janë nisur që në orët e para të mëngjesit drejt malit të shenjtë, për të kryer ritet e festës së Bektashinjve. Sipas burimeve të policisë, në mjetin që drejtohej nga Agim Saliasi udhëtonin bashkëshortja, Tefta, 39 vjeçe, djali Klevisi, 14 vjeç, vajza Gjeorgjia, 9 vjeç, si dhe nipi i tij, Merlin Pepa, 13 vjeç. Së bashku me familjen Saliasi mësohet se udhëtonte dhe famijla Koxhaj, po nga i njëjti fshat, Qemal Koxhaj, 45 vjeç, bashkëshortja, Marjeta, 46 vjeçe, si dhe dy vajzat e tyre, Ana e Frida, 15 dhe 14 vjeçe. Si pasojë e rënies së mjetit në humnerë mësohet se ka gjetur vdekjen e menjëhershme 15- vjeçarja Frida Koxhaj si dhe është plagosur rëndë me rrezik për jetën, 13- vjeçari Melin Pepa. Ky i fundit është transportuar me një helikopterë për në spitalin ushtarak në Tiranë. Ekspertët e qarkullimit rrugor, bënë të ditur se shkak i aksidentit kanë qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesit të mjetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›