E Shtunë, 31 Tetor 2026

Snajperi vret 46- vjetarin me një plumb në kokë

Tropojë, Perparim Bardhi është vrarë në mënyrë misterioze në Vuçidol teksa po udhëtonte së bashku me të vëllanë

TROPOJË- Një vrasje e mbështjellë me mister ka ndodhur paraditen e djeshme në afërsi të bjeshkëve të Sulbicës në rrethin e Tropojës. Një goditje arme vetëm me një plumb në kokë i ka marrë jetën shtetasit Perparim Bardhi, 46 vjeç, nga fshati Vuçidol i rrethit të Tropojës. Burime të policisë së komisariat të Tropojës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 të paradites, në afërsi të përroit të Sulbicës tek Ara e Oses.

Viktima Perparim Bardhi bashkë me vëllanë e tij, Izetin, ishin nisur nga shtëpia e tyre në fshatin Vuçidol për në bjeshkët e Sulbicës ku ishin me bagëtitë për verim. Vëllai i viktimës Izet Bardhi ka pohuar rreth kësaj ngjarjeje se pasi kishin bërë disa orë rrugë me këmbë, mbi fshatin Kuçanë, në vendin e quajtur Ara e Oses, është dëgjuar një krismë arme, dhe më pas ai ka parë Përparimin të mbytur në gjak, ku vetëm pas pak minutash ka ndërruar jetë. Plumbi i ka dëmtuar viktimës plotësisht kafkën e kokës duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Policia e Tropojës e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes ka filluar hetimet, ndërkohë që sipas dëshmitarëve e të afërmeve të viktimës, Perparim Bardhi nuk kishte ndonjë konflikt të deklaruar me ndonjë person apo familje. Forca të shumta të policisë së Tropojës kanë mësyrë bjeshkët e Sulbicës për të identifikuar apo kapur autorin e kësaj vrasjeje, por deri në orët e mbrëmjes nuk është bërë e mundur asnjë prej tyre.

Një burim i policisë bën të ditur se ngjarja bëhet edhe më e komplikuar pasi dyshohet se kemi të bëjmë me një vrasës profesionist ku vetëm me një goditje ai ka mundur të realizojë vrasjen. Ndërkohë që plaga e shkaktuar në kokë, ka shtyrë policinë të dyshojë se për këtë vrasje mund të jetë përdorur edhe një armë snajper, pasi plumbi i ka hequr kafkën e kokës viktimës. Gjithsesi vrasja e ndodhur paraditen e së enjtes ka tronditur opinionin në Tropojë, po të kemi parasysh ngjarjet e ndodhura në këtë rajon pas viteve 1997, ku si rezultat i përplasjeve në mes grupeve të ndryshme kanë humbur jetën rreth 150 persona, kryesisht të rinj. Megjithatë në Tropojë kishte më pak se një vit që nuk ishte regjistruar krim me pasojë vrasjen. Vrasja e fundit kishte ndodhur në mesin e shtatorit të vitit kaluar ku pas një përplasjeje me armë në qendër të qytetit të Bajram Currit mbeti i vrarë Skënder Çela, 25 vjeç, nga fshati Sopot i Tropojës dhe u plagos vëllai i tij Selaudin Çela, ndërkohë që u plagos edhe autori i kësaj vrasjeje Arlind Rrahmani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›