Prokuroria në kërkim të shitëseve të hashashit të sekuestruar dy ditë më parë
TIRANË- Prokuroria e Tiranës, në kërkim të “shitësve” të 2 kg hashash të cilën e kishte blerë i arrestuari tashmë nga policia Lime Harizaj. Sipas këtyre burimeve, dyshohet se në tregtinë e narkotikëve të llojit kanabis sativa mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët kanë sjellë mallin nga qytetet e jugut të Shqipërisë. Burime pranë Prokurorisë së kryeqytetit, institucion ky që ka administruar aktet procedurale të policisë të kryera për këtë çështje, theksuan se grupi hetimor po punon për zbulimin e origjinës së bimës narkotike si dhe personin nga është marrë kjo sasi droge. Sipas këtyre burimeve, dyshohet se bima narkotike është sjellë për t’u tregtuar nëpër baret e kryeqytetit nga një zonë në jug të vendit. Nga të njëjtat burime mësohet se gjatë ditës së djeshme hetuesit e prokurorisë së kryeqytetit i kanë komunikuar në dhomat e paraburgimit akuzën për “prodhim, mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike” shtetasit 40 vjeç me banim në Tiranë, Lame Harizaj. Sipas policisë, 40- vjeçari është arrestuar në kushtet e flagrancës, pasi gjatë kontrollit të banesës së tij i është gjetur sasia prej mbi 2 kilogram hashash. Po këto burime konfirmuan se paraditen e sotme pritet që Haziraj të dalë para togave të zeza për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.