E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet dosja e vrasjes dhe vetëvrasjes tek Porcelani

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka vendosur pushimin e hetimeve mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi në fund të muajit korrik në kryeqytet, kur një burrë vrau me armë zjarri gruan me të cilën bashkëjetonte dhe më pas veten për shkak të konflikteve mes tyre. Burime nga kjo prokurori, pohuan se grupi hetimor ka realizuar të gjitha procedurat hetimore, duke dokumentuar ligjërisht me fakte, prova dhe dëshmi vrasjen e dyfishtë në zonën e Porcelanit. Prokuroria, me realizimin e procedurave hetimore si dhe mbështetur në Kodin Penal qësanksionon pushimin e ushtrimit të ndjekjes penale nëse provohet se personi i dyshuar ka vdekur, ka vendosur mbylljen e dosjes në fjalë. Sipas të dhënave të mbledhura gjatë hetimeve nga prokuroria, rezulton se pasditen e 31 korrikut në zonën e Porcelanit shtetasi Hazir Sallahi, 47 vjeç, punonjës pranë shërbimit të ruajtjes së objekteve qëlloi me pistoletën e punës katër herë mbi të dashurën e tij Anila Laze, 34 vjeçe, duke i shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme dhe më pas me të njëjtën armë qëlloi mbi vete. Nga të njëjtat burime mësohet se në fashikullin e kësaj dosjeje tashmë janë arkivuar raporti i ekspertimit të vendit të ngjarjes, armës, konkluzionet e autopsisë së dy trupave, deklarimet e dëshmitarëve okularë etj. Ndërsa, sa i përket motiveve, prokuroria arriti në përfundim se ngjarja ka për shkak mosmarrëveshjet e vazhdueshme mes çiftit në prag të dhënies fund të lidhjes se tyre pas disa vjetësh bashkëjetese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›