Kamioni shmang makinën, përplaset me urën
FIER- Një maune me targa të Lezhës ka rënë në një kanal në rrethin e Fierit si rezultat i shmangies së detyruar për të mos u përplasur me një mjet me targa greke. Tek kjo makinë udhëtonte një familje, e cila ishte nisur për në Greqi, por drejtuesi ka kryer një parakalim të gabuar duke shkaktuar edhe këtë aksident që për pak sa nuk është kthyer në një tragjedi. Dëshmitarët okularë pohuan se kamioni është rrëzuar në një kanal ndërsa rimorkio e tij është shkëputur nga pjesa kryesore duke u përplasur me cepin e një ure dhe më pas është rrokullisur në një arë anës rrugës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12.30 dhe sipas policisë rrugore, mjeti me targa “LE 3190 A” ishte i ngarkuar me mallra ushqimore. Qindra kuintal ushqime të ndryshme si dhe uji i pijshëm në bidonë kanë vërshuar në rrugë. Një tjetër aksident automobilistik ka ndodhur në aksin rrugor Fier- Patos në vendin e quajtur Mbyet. Dy mjete me targa greke janë përplasur me njëra-tjetrën ku kanë mbetur të plagosur lehte dy drejtuesit e saj.