Shkodër, dy mijë familje në pritje të strehimit
SHKODËR- Problemi i të pastrehëve në qytetin e Shkodrës është mjaft shqetësues. Janë mbi 2000 familje shkodrane që prej vitesh kanë plotësuar dokumentacionin përkatës dhe janë regjistruar të pastrehë pranë bashkisë së këtij qyteti. Një pjesë e madhe e tyre banojnë prej vitesh në shtëpitë e ish- pronarëve dhe kjo kategori përballet me amortizimin e madh të ambientit ku jetojnë. Ka mjaft banesa ish- pronarësh në Shkodër të cilat rrezikojnë jetën e atyre që jetojnë brenda, të cilët duke mos pasur asnjë mundësi ku të shkojnë për të jetuar, vazhdojnë të qëndrojnë aty. Sipas kryetarit të bashkisë, Lorenc Luka, strehimi paraqitet mjaft shqetësues dhe janë disa projekte por akoma nuk ka hapa konkretë në këtë drejtim. Aktualisht është një pallat me 44 hyrje i ndërtuar nga enti i banesave dhe kanë filluar procedurat tenderuese dhe për një pallat tjetër po me aq hyrje, që janë shumë pak për nevojat për strehim të këtij qyteti. Është një projekt ide për banesat sociale, ku bashkia Shkodër do jetë partnere dhe që mendohen të ngrihen me fonde të shtetit austriak.