E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, 5 familje kërcohen nga rrëshqitja e tokës

Bashkia ka përgatitur gjithë procedurat, por problemi ka mbetur sirtarëve të dikastereve qendrore


BERAT - Pas ngjarjeve të fundit në Synej të Kavajës dhe në Pogradec, rreziku është evident në qytetin e Beratit. Janë 5 familje që jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të shkarjes së truallit ku janë ndërtuar banesat e tyre. Vetë familjarët e rrezikuar kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë të problemit, ndërkohë që bashkia ka 3 vjet që kërkon ndërhyrjen e strukturave të pushtetit qendror.

Pas procedurave shkresore të dërguara në Ministrinë e Brendshme në vitin 2006, shoqëruar me një raport të hollësishëm të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, gjërat thuajse nuk kanë lëvizur, ndërkohë që situata ka evoluar për keq. Ky shërbim ka sugjeruar për zgjidhje ndërtimin e dy mureve mbrojtëse, gjë që ka mbetur vetëm një alternativë, pasi, sipas vetë banorëve, zgjidhja përfundimtare do të ishte evakuimi e jo arnimi.

Aktualisht banesat ku jetojnë Meleq Paja, Bari Lame, Selam Kalaj, Ilirian Nazëri e Adile Xhaxho ndodhen në një situatë thuajse jashtë çdo kontrolli edhe për faktin që reshjet janë në disfavor. Sipas specialistëve gjeologë dhe inxhinierë, zona ku janë vendosur banesat është e mbushur me depozitime oligocenike, deluviale e pruluviale, shto këtu edhe faktin që ujërat sipërfaqësore dhe ato të përdorimit të përditshëm lëvizin në mënyrë kaotike, gjë që e ndërlikon edhe më shumë problemin.

Të gjithë këta faktorë objektivë janë pasur parasysh nga specialistët e bashkisë, qarkut dhe prefekturës, të cilët herë pas herë kanë relatuar për zgjidhje konkrete në Ministrinë e Brendshme, por deri tani asnjë zgjidhje nuk është dhënë. "Ajo që ne kërkojmë nga shteti ka të bëjë me vlerësimin e problemit, për faktin që toka po rrëshqet çdo ditë e ne ndodhemi në prag të ndonjë katastrofe. Përderisa situata është nën kontroll, duhet vepruar shpejt.

Evakuimi dhe sistemimi në ndonjë banesë tjetër do të ishte zgjidhja më e drejtë ndërkohë që ne apelojmë që shteti të mendojë për strehim definitiv të familjeve tona",- thotë njëri prej banorëve. Tashmë problemi ka mbetur në dorë të Ministrisë së Brendshme, e cila duhet të japë një vendim: ose riforcim të zonës me mur mbajtës, ose evakuim e strehim të këtyre familjeve.

----------------------------------------------------------------------------------------------------------------

ELBASAN - Një grup inspektimi ka mbërritur një ditë më parë në fshatin Kalaj të komunës Kukur në rrethin e Gramshit. Banorët kanë paralajmëruar për një rrëshqitje disa ditë më parë, por deri tani situata deklarohej pa probleme. Nga terreni atje situata ka rezultuar mjaft shqetësuese. Sipas të dhënave të para në rrezik janë rreth 70 shtëpi, shkolla e fshatit dhe qendra shëndetësore.

Ndërkohë, rrëshqitja ka dëmtuar plotësisht rreth 2 km rrugë që të çon në këtë fshat, mbi 50 ha tokë, ka shkatërruar një stallë bagëtish, një dyqan dhe disa ndërtesa të braktisura. Vetë banorët që masin çdo ditë lëvizjen e tokës nga frika e përfshirjes së shtëpive ku jetojnë, thonë se nga matjet toka rrëshqet rreth 10 metra në 24 orë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›