E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akzuzohet se trafikoi të fejuarën, ekstradohet nga Italia

Ekstradohet nga Italia një 39-vjeçar i shpallur në kërkim nga policia për shfrytëzim prostitucioni.

Arjan Kane nga Fieri është ekstraduar dy ditë më parë nga Milano e Italisë, sepse Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në Tiranë më datë 11 dhjetor të vitit 2007, e ka dënuar atë me 20 vjet burgim. Kane akuzohet se ka shfrytëzuar të fejuarën e tij për prostitucion.

Në vitin 2001 ai u fejua me të renë H. Xh, dhe në muajin nëntor të po këtij viti ata kanë shkuar jashtë shtetit, fillimisht në Greqi dhe më pas në Milano të Italisë. Mësohet se gjatë qëndrimit në Milano, Kane me forcë ka detyruar të fejuarën e tij të prostituojë.

Kjo e fundit disa kohë më vonë denoncoi në polici 39-vjeçarin, ku deklaroi se ai e kishte detyruar nën presionin e dhunës të prostituojë në rrugët e Milanos. Kane u shpall në kërkim pasi më datë 27 dhjetor të vitit 2005 Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, vendosi ndaj tij masën e sigurisë "arrest në burg" në mungesë. Dy vjet më pas ai u shpall fajtor duke u dënuar nga kjo gjykatë me 20 vjet heqje lirie.

Ndërkohë që vetëm tre ditë pas shpalljes fajtor nga gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë, Arjan Kane u arrestua në Milano të Italisë pikërisht më datë 14 dhjetor të vitit 2007, për llogari të drejtësisë Shqiptare. Kjo e fundit u njoftua për arrestimin e Kanes në Itali duke nisur menjëherë procedurat për ekstradimin e tij, gjë e cila u bë e mundur dy ditë më parë.

Prokuroria e Shkodrës, pro Dobjanit


Prokuroria e Shkodrës vendos që të mos ndjekë procedimin penal ndaj insitucionit të Avokatit të Popullit. Ky vendim erdhi pas kallëzimit që kishte bërë Drejtoria e Policisë së Shkodrës institucionit në prokurorinë e këtij qyteti për pengim të hetimeve nga policia gjyqësore.

Policia e Shkodrës pretendonte se Avokati i Popullit në nëntor të vitit të kaluar tejkaloi kompetencat që i jep ligji duke marrë kontakt me tre shtetas që ishin shoqëruar për të pyetur për një vrasje që kishte ndodhur që në vitin 1997 në qytetin verior.

Sipas shefit të kabinetit të Avokatit të Popullit, Artur Lazebeu, ky vendim duhet të shërbejë si precedent për të gjithë ata zyrtarë që kundërshtojnë qoftë dhe kritikën më të vogël që iu bëhet për zbatimin korrekt të ligjit. "Jo se prokuroria ka mbajtur anën e ndokujt.

Ajo thjesht ka mirëkuptuar dhe respektuar ligjin, ka respektuar veprimin ligjor të një institucioni kushtetues si Avokati i Popullit",- shprehet Lazebeu për këtë çështje. Në vendimin e Prokurorisë së Shkodrës thuhet se institucioni i Avokatit të Popullit, në veprimet e tij ka zbatuar rregullat ligjore dhe administrative dhe nuk ka asnjë shkelje ligjore nga Avokati i Popullit apo dhe komisionerët e këtij institucioni.

Arrestohen në Itali dy të kërkuar nga Shqipëria


Policia Italiane arreston dy persona për llogari të drejtësisë Shqiptare. Edison Begaj, 29 vjeç, nga Vlora, është arrestuar dy ditë më parë në Firence të Italisë, pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia. Ndaj 29-vjeçarit Begaj Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, më datë 11 dhjetor të vitit 2008, ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale të "Trafikimit të narkotikëve" dhe "Trafikimit të armëve dhe municioneve".

Mësohet se ne dhjetor te vitit 2008 në fshatin Ndërmenas te Fierit janë kapur dhe sekuestruar një sasi prej 284 kile bime narkotike si dhe 5 armë zjarri automatike dhe municione që Begaj i kishte në zotërim së bashku me David Ismailaj, Erjon Dulaj dhe Albert Brahimi të arrestuar në flagrancë.

Ndërkohë po dy ditë më parë, Policia e Shtetit u njoftuas nga Interpol Roma për arrestimin e të kërkuarit Laver Danaj, 63-vjeç, nga fshati Amonicë i Vlorës.

Danaj ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, më datë 28 janar të vitit 2002, e ka dënuar atë me 18 vjet heqje lirie, për veprën penale të "Vrasjes me dashje", " Prishjes së qetësisë publike" dhe "Armëmbajtjes pa leje".

Ngjarja për të cilën është shpallur fajtor Danaj ka ndodhur më datë 10 gusht të vitit 1999 kur ai ka vrarë me armë zjarri bashkëfshatarin e tij Arben Ademi. Krimi ndodhi pas një sherri mes tyre pasi, Ademi prishi gardhin para shtëpisë së tij dhe e kishte vendosur para shtëpisë së Danajt.

Pas debateve të krijuara mes tyre, 63-vjeçari ka hyrë në shtëpi ku ka marrë një automatik të cilin e kishte pa leje, dhe ka qëlluar Ademin duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Mbetet në burg, "vrasësi" i policëve


TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, me kërkesë të organit të akuzës i caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve të arrestuarit Afrim Hasani, i akuzuar për vrasjen e dyfishtë të policëve Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila.

Kështu, mesditën e djeshme, me kërkesë të prokurorit të çështjes, Ardian Nezha, gjyqtari i vetëm i masave Fran Prendi mori në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit Afrim Hasani.

Ky i fundit, para togave të zeza nuk ka preferuar të flasë në lidhje me vrasjen e policëve, por i është përgjigjur vetëm pyetjes së gjyqtarit në lidhje me gjeneralitetet personale. Ndërkaq, prokurori Nezha lexoi para gjykatës edhe njëherë të gjithë rrjedhën e ngjarjes që dërgoi të arrestuarit Hasani në kryerjen e vrasjes së dy policëve me paramendim.

Kërkesa për "arrest me burg" u kundërshtua nga avokati mbrojtës i caktuar kryesisht nga gjykata për të mbrojtur interesat ligjore të të arrestuarit, që kërkoi caktimin e masë së së sigurisë "arrest me burg" me afat, deri në përfundim të akt-ekpertizës së armës së gjetur në momentin e arrestimit të shtetasit Afrim Hasani.

Mirëpo, kjo kërkesë e mbrojtjes nuk u pranua nga Gjykata, e cila vendosi të lërë në qeli deri në përfundim të hetimit të riun nga fshati Petkaj i Kukësit që katër ditë më parë vrau me armë zjarri dy policët Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila. Në fytyrën e të arrestuarit dukeshin qartë shenja dhune që sipas pretendimeve ishin ushtruar nga policia

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›