Ujgurët në Shqipëri, letër presidentit Obama
LETRA/ Abu Baker Qasim ka kërkuar nga presidenti amerikan lirimin e 17 patriotëve të tij në Guantanamo
TIRANË - Një mysliman kinez, ish-i burgosur në Guantanamo, i cili jeton në Shqipëri, i ka kërkuar presidentit amerikan Barak Obama që të lirojë 17 patriotët e tij, të njohur si ujgurë, që mbahen ende në burgun e famshëm.
Gjithashtu ai ka kërkuar që ata të lejohen të jetojnë në SHBA. Një avokat që përfaqëson ish-të burgosurin Abu Baker Qasim u shpreh se ai i shkroi presidentit amerikan më 24 mars 2009. Një kopje e letrës iu dërgua zyrës së agjencisë së lajmeve "Associated Press" të premten nga avokatja e Abu Bakker, Sabin Uillet. Në letrën e tij, Abu Baker shkruan se "17 nga vëllezërit e mi kanë mbetur në burg.
Ju lutem, mbarojini vuajtjet e tyre sa më shpejt. Unë ju përgëzoj për fitoren historike në zgjedhje, por kamë kaluar shumë muaj, - thotë Abu Baker. - Shpresoj se së afërmi qeveria juaj dhe bashkëvendasit tuaj të duan të takojnë 17 vëllezërit tanë. Ndoshta, nëse do të vijë ajo ditë, kjo do të thotë që edhe ne të tjerët do të mund të vijmë në Amerikë gjithashtu".
Presidenti Obama pati lajmëruar për planet e tij për ta mbyllur qendrën e burgimit në Guantanamo, por ende nuk dihet se cili do të jetë fati i 240 të burgosurve që ndodhen aty.
Ujgurët kinezë që kanë mbetur në Guantanamo nuk shihen më si armiq të SHBA-së. Por autoritetet amerikane i kanë injoruar thirrjet e Kinës për t'i kthyer ata në atdhe, nga frika e përndjekjes dhe dënimit.
Shqipëria pranoi pesë ujgurë në 2006-n, por ka refuzuar të pranojë të tjerë, edhe nga frika e përplasjeve diplomatike me Kinën. Një gjykatë suedeze emigracioni fillimisht pranoi aplikimin për azil të njërit prej tyre, por zyra e emigrimit e Suedisë po e apelon këtë vendim në Gjykatën e Lartë. Adil Hakimjan kërkoi të përfitonte azilin, sepse motra e tij jetonte atje.
Ujgurët janë nga Xinjiangu, një rajon i izoluar me kufijtë e Afganistanit, Pakistanit dhe gjashtë vende të Azisë Qendrore. Ata thonë se përndiqen nga qeveria kineze, ndërsa qeveria e Pekinit thotë se elementë separatistë po udhëheqin lëvizjen islamike në Xinjiang. Ujgurët u dërguan në Guantanamo pasi u kapën në Pakistan dhe Afganistan në 2001.
Shqipëria, një nga vendet më të varfra të Evropës, u ofroi ujgurëve asistencë, punë, falje në xhami dhe ndihmë për të mësuar gjuhën shqipe. Por Abu Baker, në letrën e tij i mëshon faktit se ata kanë mbetur të shkëputur nga familjet e tyre në Kinë. "Unë mendoj për familjen, të cilën, ndoshta, nuk do ta shoh më kurrë. Jeta është vërtet e vështirë, dhe e ardhmja jonë duket gjithnjë e më e largët".