Arrestimi i kreut të policisë bashkiake, policia sekuestron dosjet
DURRËS - Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar 4 dosje në zyrat e Policisë Bashkiake, dosje me materiale të disa lejeve për ushtrim aktiviteti nën juridiksionin e bashkisë, si dhe të disa rrugëve.
Sekuestrimi i tyre është bërë një ditë pas vënies në pranga të kreut të Policisë Bashkiake, Rexhep Bulkut, policit bashkiak Bashkim Maloku, administratorit të njësisë nr.4 Luan Shaba, dhe inspektorit të kësaj njësie Lutfi Dervishi.
Njëkohësisht nga kryetari i bashkisë së Durrësit është firmosur shkarkimi i të arrestuarve nga detyrat e tyre, ndërsa është deklaruar se "cilidoqoftë vendimi i drejtësisë, këta njerëz nuk kanë më vend në Bashkinë e Durrësit".
Në vendet përkatëse janë emëruar katër persona të tjerë. Ndërkohë bëhet e ditur se katër të arrestuarit kanë protestuar për marrjen e vendimit të masës së sigurisë me "burg pa afat" pa dijeninë e tyre, duke u shprehur se do ta apelojnë një vendim të tillë.
Ndërkohë, gjatë ditës së premte, është bërë edhe transferimi i 5 të arrestuarve nga dhomat e izolimit në drejtorinë e Policisë së Durrësit, në ndërtesën e Burgut të Ri që është instaluar në mjediset e një spitali ushtarak italian gjatë emergjencave të kaluara në rajonin e ish-kënetës së Durrësit.
Burime të sigurta konfirmojnë se transferimi i tyre është bërë nën masa të forta sigurie rreth orës 13:00. Kreu i Policisë Bashkiake, polici bashkiak, administratori dhe inspektori i njësisë nr.4, si dhe një shtetas, i cili njihej si sekser u vunë në pranga të enjten, ndërsa ndaj tyre është ngritur akuza e "korrupsionit pasiv".