E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, padi e re kundër Vasil Bollanos

AKUZA/ Ndaj kreut të Bashkisë së Himarës është depozituar një kallëzim penal për shkelje të ligjit me pronat

Denoncuesi Kosta Andruco akuzon kryebashkiakun se ka spostuar një projekt të rrugës Dhërmi - Sarandë

VLORË - Një kallëzim penal kundër Vasil Bollanos është depozituar dje në prokurorinë e Vlorës.


Kreu i bashkisë së Himarës akuzohet se ka shkelur ligjin duke favorizuar disa persona dhe duke spostuar projektin për ndërtimin e një rruge, ndërkohë që banorët nuk janë shpronësuar ende.

Kosta Andruco, një nga të shoqëruarit nga policia e Vlorës, për shkak se akuzohet se ka kundërshtuar punonjësit e rendit është edhe firmosësi i këtij kallëzimi penal, ndërsa dje para prokurorisë ndodheshin disa banorë të Himarës.

Banorët shprehen se ata kërkojnë vetëm që të zbatohet Kushtetuta, e cila në nenin 41, paragrafi 3, përcakton se cilit mund t'i bëhen shpronësime publike, por kundrejt çmimit. Ata thanë se kanë kërkuar disa herë që të zbatohet ky nen, por e vetmja përgjigje që kanë marrë, ka qenë mosdija e çmimit të tokës.

Ndërkohë, lidhur me problemet me policinë, banorët thanë se ishin informuar se prania e policisë ka qenë me kërkesë të Bollanos, ndaj të cilit u depozitua edhe kallëzimi penal.


Kosta Andruco, në kallëzimin penal të firmosur prej tij tregon ngjarjen e dy ditëve më parë: "Jam një banor i qytetit të Himarës. Në datë 26 mars 2009, ora 8:00, në bahçen e banesës sime kanë hyrë pa lejen time disa punëtorë.

Pas debatit të bërë me ta, u informova se kishin ardhur me urdhër të kryetarit të bashkisë për të filluar punimet për zgjerimin e rrugës. Unë nuk kam qenë në dijeni të këtij fakti dhe iu kam kërkuar punëtorëve të largohen nga prona ime e trashëguar brez pas brezi.

Më pas kanë ndërhyrë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat më kanë tërhequr zvarrë mua, bashkëshorten time dhe kunatën (gruan e vëllait). Paraqes këtë kallëzim kundër kryetarit të bashkisë Himarë", -shkruan Andruco.

Ai vijon se "projekti i miratuar për zgjerimin e rrugës nuk prek gjithë bahçen e shtëpisë sime, por ky projekt është devijuar nga kryetari i bashkisë për të favorizuar shtetasin Mihal Brigo, i cili ka ndërtuar një magazinë pa leje në të cilën zhvillon aktivitet tregtar.

Kjo magazinë është ndërtuar pjesërisht mbi rrugën ekzistuese dhe në pjesën ku është ndërtuar ajo është projektuar zgjerimi i rrugës". Gjithashtu, sipas Andrucos, punimet për ndërtimin e një rruge nuk mund të fillojnë pa u shpronësuar më parë pronari i tokës takuese, tokë e cila ka qenë historikisht e familjes së tij.

"Ndërhyrja e dhunshme e forcave të rendit në dëmin tim dhe të familjes sime, është bërë me kërkesën e kryetarit të bashkisë, i cili ka kërkuar të përfitojë nga ndërhyrja e tyre për të realizuar qëllimin e tij të kundërligjshëm, që është spostimi i projektit të rrugës", vijon Kosta Andruco në kallëzimin e tij. Mbështetur në këto fakte, banori i Himarës ka kërkuar ndjekjen penale të Vasil Bollanos.


Vasil Bollano, kreu i bashkisë së Himarës, është ndërkohë në proces gjyqësor në Gjykatën e Vlorës ndërsa akuzohet për "shpërdorim detyre" për shkak të heqjes së tabelave në gjuhën shqipe në aksin Qeparo - Llogora.

Në pretencën e saj prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me një vit burg dhe 5 milionë lekë gjobë. Ndërkohë, mësohet se Kosta Andruco është një nga personat i cili ka garuar kundër Bollanos në zgjedhjet lokale.

"Po ndërtojnë rrugë mbi pronën tonë të trashëguar"


"Na kanë tërhequr zvarrë, pa na dhënë asnjë shpjegim". Kjo ka qenë dëshmia e banores së Himarës Lida Maraçi, dhënë gazetës "Shekulli", në lidhje me ngjarjen e dy ditëve më parë në Himarë. 40-vjeçarja ishte një nga personat që u shoqëruan në postën e policisë së Himarës gjatë konfliktit të ndodhur me firmën që punon për ndërtimin e rrugës nacionale në këtë zonë.

Siç shpjegon ajo, në polici kanë qenë tre gra, të cilat janë marrë forcërisht. "Isha në shtëpi, kur mora vesh se burrin e kishin marrë në polici. Ai ishte nisur të mbushte ujë, te prona që kemi, pasi edhe rruga ku po punojnë tani na kalon në pronë.

Aty gjeta punëtorë të firmës, si edhe punonjës së policisë bashkiake. U thashë të dilnin nga prona ime dhe nuk lejova të punonin aty. Por morën në telefon dhe pa kaluar as 15 minuta, erdhi furgoni i policisë me rreth 8 policë në të. Zbritën. Nuk arrita të thoshja asnjë fjalë, por më rrëmbyen dhe më futën brenda.

Edhe mamanë time 67 vjeçe, që kishte ardhur për mua, e hoqën tutje. Në pikën e policisë na mbajtën disa orë. Në polici na thanë që po deshët dilni, por duhet të firmosni më parë një dokument, që nuk do të shkoni më te prona juaj. Ky është absurditeti më i madh që mund të dëgjosh.

Ne jemi në pronën tonë. Kemi një truall aty, midis Potamit dhe Spitalit të vjetër, quhet Shkallë Himarë, ka dhe mbiemrin tonë, Maraçi. Prona është e vjetër, është e trashëguar dhe e hipotekuar.

Nuk ka logjikë në botë që mund ta justifikojë këtë veprim. Si mund të ndërtohet mbi pronën e dikujt pa e shpronësuar më parë atë? Unë i kam të gjitha kushtet për shpronësim. Nuk kishim asnjë njoftim nga drejtoria e përgjithshme e rrugëve apo nga bashkia e Himares.

Asgjë nuk kemi kërkuar, vetëm shpronësimin.". Gruaja tregon se edhe më parë kanë pasur përballje me punëtorët e firmës. "U kemi thënë se jemi në pronën tonë dhe ata kanë dalë, por na është dhënë kundërpërgjigjja se do të thërrasim policinë. Është e pafalshme të tërhiqesh zvarrë në pronën tënde",- tregon ajo.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›