Pranga me drogë pronarit të basteve
Policia kap lëndë narkotike dhe arreston 5 persona, pjesëtarë të dy grupeve kriminale
TIRANE- Arrestohet pronari i një lokali bastesh sportive i dyshuar si furnizues droge. Haki Belaj, 35-vjeç, pronar i një pike bastesh, në lagjen "Ali Demi" në Tiranë është arrestuar dy ditë më parë, ndërsa është kapur me një sasi marijuane.
Sipas burimeve të policisë, Belaj u kap pranë lokalit të tij pas një kontrolli nga oficerët e antidrogës së kryeqytetit. Pas ndalimit të tij, hetuesit kryen një kontroll në automjetit e tij "Mercedez- Benz", me targa TR 5060 I.
Në momentin e kontrollit, mjeti ishte në përdorim të Ervin Qiros 28 vjeç, ku u gjet sasia prej 144.6 gr bimë narkotike e dyshuar si hashash. Qiro u ndalua gjithashtu si i implikuar në shpërndarjen e lëndës narkotike.
Ndërkohë që në cilësinë e provës materiale të arrestuarve iu sekuestruan një sasi prej 150 gramë bime narkotike e dyshuar si "Cannabis Sattiva", tre telefona celularë si dhe automjeti tip-"Benz", me targë TR 5060 I, pronë e Haki Belaj.
Antidroga e policisë së kryeqytetit paralelisht me operacionin për kapjen e 35-vjeçarit Haki Belaj dhe të 28-vjeçarit Ervin Qiro, ka organizuar një tjetër aksion në Tiranë duke çuar në qeli tre persona të dyshuar si shitës hashashi.
Dy ditë më parë, policia kapi tre të rinj në rrugën "4 Dëshmorët" pranë një lokali në Tiranë, pasi iu gjet një sasi lënde narkotike. Lulëzim Ajazi, 25-vjeç, Shpendi Islami, 22-vjeç dhe Ermal Avduli, 20-vjeç, akuzohen për "prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike".
Burime nga policia thanë se njëri prej tre personave, pikërisht 22-vjeçari Shpendi Islami, posedonte afro shtatë qese farmacie, të mbushura me 29 gramë lëndë Cannabis Sattiva.
Policia kreu shoqërimin e tij dhe të dy personave që ndodheshin me të pasi në banesat e tyre u gjetën 278.2 gram me gjithë ambalazh, e fshehur në një qese celefani lënde bimore me aromë dhe karakteristikë si ato të "Cannabis Sattiva".
Të arrestuarve policia iu bllokoi 307.2 gram me gjithë ambalazh bimë e dyshuar narkotike "Cannabis Sattiva", katër telefona celularë të markave "Nokia", "Samsung" etj.