E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, 52 mësues pezullohen nga puna

Viti i ri shkollor në Rrethin e Beratit nuk do të nisë në shumë zona të thella malore, për shkak të numrit të ulët të nxënësve, çka e ka detyruar drejtorinë arsimore të mbyllë dyert e shkollave. Burime pranë këtij institucioni arsimor bëjnë të ditur se zhvendosja e banorëve të zonave rurale drejt qyteteve, ka ulur ndjeshëm numrin e nxënësve nëpër shkolla, sidomos në zonat malore të Beratit dhe Skraparit. Mësohet se për këtë vit shkollor do të ulen në bankat e shkollës rreth 26890 nxënës në të gjitha nivelet ose 20% më pak krahasuar me një vit më parë. Në këto kushte, tre shkolla nëntëvjeçare, përkatësisht në Komunën Roshnik, Tërpan dhe Sinjë, nuk do të hapin dyert për këtë vit shkollor. Numri i nxënësve për çdo klasë mësohet se është shumë i ulët dhe është vendosur që në këto kushte, ata fëmijë që kanë vendosur të frekuentojnë shkollën, duhet të shkojnë në fshatrat afër. Po sipas burimeve nga drejtoria arsimore, mbyllja e shkollave ka pezulluar nga puna 52 mësues vetëm në Rrethin e Beratit. Arsimtarët, që i përkasin sistemit fillor dhe nëntëvjeçar kanë dalë të papunë nga mbyllja e klasave dhe shkollave. Gjendja është e njëjtë dhe për shkollat e komunave të Rrethit të Skraparit, ku shumë prej tyre janë mbyllur për shkak të numrit të ulët të nxënësve në klasa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›