E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të vetvetes

"Ecce homo" ("Ky është njeriu"). Shkronja të bardha të vogla, Gaz Leka i ka vendosur përfund një tabloje, mbështetur në një cep të studios. Kafkë njeriu, dy sy të bojëqielltë dhe një maskë e argjendtë që i rrethon. Një postulat i tillë, i mbartur me shekuj, do t‘i shkonte për shtat çdo pikture që syri të zë në hapësirën e studios. Është një gjuhë, një kod, një shenjë, një rrëfim artistik për njerëzoren dhe atë përtej saj. Aty, në dhomëzën që gjendet në tarracën e një pallati të vjetër, piktori kalon orë të tëra intimiteti me krijimet e tij. Aty është kavaleta, ngjyrat, penelat, bojëra të thara, muri i spërkatur në të zezë të fortë, objekte të padallueshme qartë në formë. Ndriçimi që depërton nga dritarja e gjendur mbi rrugë i jep gjithçkaje një sens edhe më mistik. Ka vite që jeton me to. Nuk bën dot pa këtë "rrëmujë" artistike. Aty janë gjithçka ai ndjen e përjeton, gjithçka që i mbush mendimet, ato që vetëdija i rrok e ato që fshihen në skutat e subkoshiencës. Ka njerëz e mite, ngjarje e imagjinatë. Piktura është kodi përmes të cilit ai flet. E teksa sheh njërën pas tjetrës, pikturat, disa të përfunduara e të tjera në penelatat e para, të kumtojnë profilin që tashmë e identifikon Gaz Lekën artist. Është në fazën e një krijimi intensiv. Punon paralelisht në dy-tri tablo. Kalon më shumë kohë në studio, me të tashmen e tij, por edhe me të shkuarën. Një rikthim, si një kërkesë e domosdoshme për të reflektuar mbi atë që ka krijuar. "Vjen një moment që njeriu ka nevojë të ndalojë vrapin e çmendur, të ulet buzë rrugës, të ndezë një cigare e të meditojë. Dashur pa dashur, në një kohë ekspozitash rend të shkosh në studio, të krijosh, të ekspozosh, të flasësh me gazetarë...Njeriu vetëm nxjerr nga vetja e nuk ka kohë të shohë brenda tij. Pasi ndodh ky lloj katarsisi vjen momenti që t‘i do të hysh edhe një herë brenda vetes e të mund të shohësh shumë qartë impulset e reja që pret të lindin. Është një lloj dimri i vogël. Këto dy vjet kam zgjedhur të bëj më pak ekspozita dhe të rishikoj gjithë krijimtarinë time deri në ditët e sotme", shprehet Leka. Nën një fjollë të lehtë të tymit të cigares, i dallohet herë-herë ndonjë vështrim meditues. Deri më sot, shënohen rreth 140 ekspozita në krijimtarinë e tij, brenda e jashtë vendit. Falë teknologjisë, punët e tij janë të grupuara. Sheh aty që nga vizatime të hershme, ilustrime të librave të dikurshëm për fëmijë, apo ilustrime të "Tregime të moçme shqiptare". Atëherë kemi një piktor në fillesat e tij. Por gjithsesi, në këtë rrugëtim reflektues, Leka e ka gjetur një fill të përbashkët. "Kam parë që ruaj një lloj filli personal, një vulë personale që qoftë instinktivisht apo me logjikë nuk e paskam tradhtuar. Që nga grafikat e pikturat e para e deri më sot, gati-gati janë po të njëjtat motive. Siç duket jeta e njeriut qenka një gjë, nuk qenka shumë gjëra. Bërthama e qenies është po ajo. Ndryshon mënyra se si reflektohen vlerat", tregon Leka, i cili, përveç studios ka një jetë tjetër, atë si pedagog në Akademinë e Arteve, si familjar dhe si njeri me shok e miq. Gjithçka shkon mirë nëse arrin t‘i gjesh ekuilibrat, thotë ai. Për të shprehja përmes pikturës është një domosdoshmëri, një çlirim nga gjithë "demonët" e brendshëm. Pjesa tjetër që mbetet? Simbolikisht Leka e quan "kafsha e butë e shtëpisë". Tashmë ai është në një fazë të krijimtarisë që rëndom, në gjuhën e përditshme e quajmë pjekuria artistike. Në gjuhën e tij, Leka e konsideron një pikëtakim mes asaj që të është dhënë, esencës, konsideruar si një vijë vertikale dhe përvojës si një vijë horizontale. "Unë e shoh shumë qartë jetën time. Ka një linjë horizontale (familja, shoqëria, pirjet e kafesë, me bisedat me studentët) dhe jeta vertikale që është prona jote. Nuk mund të them që kjo është më e rëndësishme se ajo tjetra. Është një gjë e madhe po të dish t‘i presësh". Gjithsesi krijimi për të është i pakohë. "Nuk besoj se një gjë që bëj sot, ka më shumë vlerë se e djeshmja. Është e njëjta gjë. Veçse përvoja vjen nga pas dhe prish disa ligje që të kanë mbajtur krijimtarinë tënde. Tani vepron në bosh", e shpjegon momentin në të cilin gjendet si krijues. Pjesë e këtij cikli reflektimi janë edhe pikturat që ka krijuar pak muaj më parë. Një vizitë në studio e ngacmon që të zhvendosë a të "zbulojë" tablo që mbulojnë njëra-tjetrën. E ka nga një koment të shkurtër për secilën prej tyre. Ose më mirë të themi për shtysën që e ka çuar atje. Ai i quan artistët bashkëpunëtorë, ndoshta edhe në mënyrë të pavetëdijshme, me atë gjënë e fshehtë, atë të mistershmen që duhet të dalë e të bëhet e dukshme për syrin, e dëgjueshme për veshin, e nuhatshme për hundën, për të gjitha shqisat e njeriut. "Besoj se ne jemi bashkëpunëtorë për ta çliruar këtë lloj energjie", shprehet ai që gjithçka e lexon me gjuhën e kodeve. Ka vite që e studion. Edhe i beson. Nëse e pyet se çfarë e dikton zgjedhjen e ngjyrave, shprehet se është gjeni personal. Kontrastet e forta të grafikave apo tonalitet e errëta të pikturave janë zgjedhjet dalluese të tij. Për të nuk ka tipare fizike të dukshme. Shprehja arrihet përmes shpirtit. "Kur bëj ndonjëherë autopsinë e vetes, unë nuk punoj natën, ndërkohë që piktura ime është në tonalitete të errëta. Duket sikur bën një lloj kompensimi. Ka disa që e lidhin me një farë natyre depresive. Është krejt e kundërta. Unë jap dashuri, dua të marr shumë dashuri e gëzim". Por ka të tjera kode që ai beson se i ka kuptuar. Në një lexim astrologjik, do të kishte lidhje me diellin, i fshehur për shenjën e tij në kutinë e dymbëdhjetë, do të kishte lidhje me ditën dhe me orën e lindjes. Janë gjëra aq shumë të diskutuara nga mitologjia, e pranishme dukshëm në veprat e tij. Thënë kështu duket një diskutim vështirë i rrokshëm, por ka motive që marrin ngjyrime edhe nga përjetime të përditshme. Por qartazi, për të asgjë nuk është e rastësishme. Kështu, kontrasti mes së kuqes dhe së zezës në pikturat e tij e ka një ngacmim. "Unë pëlqej për koincidencë kontrastin e së kuqes me të zezën, që për koincidencë shkon te flamuri kombëtar. Ka shumë lidhje me mallin, me zjarrin, me qymyrin që fillon e shuhet po e ruan nxehtësinë... Deri tani ne jemi mësuar sikur nga ngjarjet dalin simbolet. Për mua është e kundërta, janë simbolet që provojnë ngjarjen. Ka një gjuhë që është simbolike, e fortë e fshehur, e fjetur ka dhe një gjuhë komunikative që njerëzit merren vesh me njëri-tjetrin". Do të rendiste një sërë argumentesh të tjera. Të gjitha të çojnë te krijimi. Si ndjehet ai përballë një pikture të përfunduar? "Janë shumë gjëra. Së pari je i kënaqur. Kur përfundon një gjë besoj se je në maksimumin tënd. Pastaj është pjesa e boshllëkut që ti ke. Më tej gjithë qenia jote punon për një frekuencë tjetër. Unë jam si koha e tashme që sheh si në të shkuarën, ashtu edhe në të ardhmen". Për të, piktura brenda kushteve që ofron Shqipëria, e bën një jetë aktive. Ka ekspozita, galeri ku mund të ekspozosh, edhe pse në syrin kritik nuk sheh një sallë të denjë për të ekspozuar, e po ashtu veprat dialogojnë me publikun. Ky i fundit, i blen aq sa mundet, e kur nuk i blen, i shijon. "Kohët e fundit shoh hezitim të ekspozimit të pikturës", thotë Leka, i cili i mëshon idesë se duhet të ketë një "pickim" të fortë jo vetëm nga individët, por edhe nga shteti. Pas një bisede të shkurtër do të nisë sërish të hedhë ngjyra. Cilat janë frekuencat që e ngacmojnë? "Kohët e fundit më pëlqen të bëj disa piktura, ku unë të jem dëshmitar i gjërave. Shumë gjëra të cilat në mënyrë të pakuptueshme më kanë ardhur rrotull, do t‘i marr t‘i hedh në pikturë. Do krijoj një lloj skeme, ku të jem edhe unë dëshmitar...".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›