Shoqata e pronarëve të stacioneve policore
1.
Shlomo kishte bërë një udhëtim më të gjatë në kohë se në hapësirë. Kishte mbledhur fëmijët, e ata fëmijët e tyre dhe i kishte shpënë në Evropë, në qytetin e tij të lindjes Bielsko. U kishte treguar historinë e këtij vendi në Silesinë polake, si jetohej gjatë Austrohungarisë, si fliteshin shumë gjuhë, e ata, hebrenjtë, nuk mund të deklaronin se kishin të veten, Yiddish, por duhej të deklaroheshin si gjermanofolës, se territori u aneksua ditët e para të luftës e se si ai si fëmijë do të kishte fatin t‘i shpëtonte Luftës dhe Vdekjes, të largohej nga ai kontinent shfarosës e të gjendej aty ku do të përfundonin lutjet hebraike, në Palestinë, gjegjësisht, Jerusalem.
Gjatë kësaj vere, ndërsa mbushej 70-vjetori i fillimit të Luftës së Dytë Botërore, ai nuk arriti t‘u shpjegojë nipërve e mbesave vetëm një gjë, se si shtëpia ku kishte lindur dhe prej nga ishte larguar me të shpejtë, e me fatlumësi, tashmë ishte shndërruar në stacion policor.
Shtëpia ishte rrëfimi, ajo prej nga banorët ikin me frikë, ajo në të cilën uniformat hynë pa frikë, ajo që nuk mund të durojë uniforma për shumë kohë, sepse uniformat ndërrohen e shtëpia jo, ajo që çdo herë do ngrihet flamuri i një shteti do të mbulohet përkohësisht me hijen e valëvitjes së tij pa ditur në nesër do jetë hija e njëjtë; shtëpia pra që për çdo kë dhe posaçërisht për çdo kohë do të jetë diçka tjetër. Për Shlomon shtëpia e prindërve të tij, e vetmja mundësi fizike e prekjes të së kaluarës; për pushtetin, kapaciteti i mjaftueshëm për të akomoduar stacionin e policisë - njëherë e zhveshur prej kujtimit, në të mund të vendosej lirshëm togu i ruajtësve të rendit dhe qetësisë.
Shtëpia ishte rrëfimi, por Shlomo, intelektual i njohur hebre, me aftësi të mira shkrimtari filozofie e historie, ligjërimi në universitet dhe dialogu diplomatik, nuk arriti ta tregojë, vetëm bëri me dorë në atë drejtim dhe u tha se kishte lindur andej, ja aty dikund pranë, andeja pra, duke e mbyllur edhe mundësinë që stacioni i policisë të banohet, qoftë dhe përkohësisht, me kujtime.
2.
Gjota e përfshin rrëfimin në një pamje të vetme. Kur dëgjon që dikush nga gazetarët, posaçërisht ata televiziv do kalojnë në Greqi, e do hyjnë në Gumenicë, do ju kërkojë, aman, një pamje të stacionit policor, se aty e kam shtëpinë.
Një pamje e vetme do të mjaftojë për rrëfimin sepse rrëfimi është krejtësisht i thjeshtë, ka të bëjë me në ekziston a jo shtëpia, çfarëdo që të ketë brenda e sido që të jetë e lyer jashtë , sepse nëse ekziston ajo është vetja, dhe nëse është vetja, atëherë edhe Gjota, mjeshtër kuzhine, është pjesë e saj, apo anasjelltas, kush dreqi ta dijë këtë punën e shtëpive që shndërrohen në stacione policore.
I thash Shlomos për rastin e Gjotës, çamit tiranas dhe ai më tha se ndoshta nuk do të ishte ide e keqe të bëhej Shoqata e pronarëve të shtëpive që u bënë stacione policore.
Do të ishte shoqatë e pafjalë, e parrëfime, ose me një të vetmin rrëfim, për ditën a natën kur u detyruan ta braktisin, rrëfim që menjëherë do t‘u rikujtojë frikën, rrahjen e fortë të zemrës, djersitjen e ftohtë, sytë e zgurdhuruara - momentin që mbetën pa fjalë për ta përshkruar shtëpinë.
3.
Saleem Sinai u bë i famshëm për shkak të momentit, atij kur nuk ishte i vetëdijshëm as ai e as historia, atij kur do të lindte, në mesnatën e 15 gushtit të vitit 1947, atij ku vajzat e reja ua tërheqin dashnorëve vërejtjen romantike se janë puqur akrepat e orës dhe atij kur kronikat shënuan fundin e kolonializmit britanik dhe lindjen e Indisë.
Saleem Sinai u lind për shkak të romanit tashmë fitues të çmimit Booker të shekullit XX, "Fëmijët e Mesnatës (Johnathan Cape, Londër, 1981) të autorit Salman Rushdie. Në krishtlindje të vitit 2005, Rushdie do të analizojë rrethanat në të cilat shkroi librin. Kishte shkuar në Indi, me 750 paundë të fituara si paradhënie e një romani që dorëzoi, futi sa më shumë Indi brenda vetes sa ç‘mund të bartte në shpirt e mbamendje, u nis prapa për në Britani me vendosmërinë e të shkruarit të romanit të gjatë për Saleemin, në të shkelur në tokë (edhe shpirtërisht) njohu realitetin e të punuarit për rrogë në mënyrë që të vazhdonte aventurat e foshnjës së mesnatës, do të shpikte slogane reklamuese për agjencinë Ogilvy dhe një ditë do të dorëzonte dorëshkrimin i cili nga redaktori i parë do të kthehej me përgjigjen "Autori duhet të shkruajë tregime të shkurtra". Romani do ta gjejë rrugën e famës, ashtu sikundër Saleemi "më sugjeroi se e tërë historia bashkëkohore e Indisë ndodhi siç ndodhi për shkak tijin; se historia, jeta e shtetit-binjak ishte disi faji i tij".
Autori i dha personazhit një aftësi që do t‘ia lehtësonte rrëfimin; të gjithë fëmijët e mesnatës në librin e Rushdiut kanë aftësi telepatike.
Një ditë a natë kur me rrahjen e fortë të zemrës, djersitjen e ftohtë, sytë e zgurdhuruara me miliona njerëz mbetën pa fjalë që do të përshkruanin shtëpitë e posalëna, ndërsa vizatohej kufiri mes Indisë dhe shtetit të porsaformuar të Pakistanit, Saleem Sinai do të humbasë përkohësisht aftësitë e tij telepatike. Kalimi i kufirit thotë rrëfimtari, ia pështolli pesëqind mendime përnjëherë, të mbetura peng, aty në kufirin mes Pakistanit e Indisë.
4.
Ditën kur u lind pavarësia e Kosovës, nuk ishte mesnatë, rrëfimtari i saj u bënë shtatë shkronja anglisht, NEWBORN, të shpalosura nga kryetari dhe kryeministri të këtij vendi. Shkronjat mbetën në platonë e Pallatit të Rinisë, të shkarravitura nga kush do të kalojë andej pari, me domethënie që po shndërrohet në ogur: i porsalindur. Gjatë 18 muajve të pavarësisë, çfarëdo rrëfimtari tjetër do të tregonte se si po rritet i porsalinduri - në Kosovë, rrëfimtari për shtetin e ri thotë, në mënyrë kontinuele, i porsalindur.
Dhe, këtë vazhdojnë ta përsërisin në narracionet e tyre, politikanët vendorë dhe ata ndërkombëtarë me misione në Kosovë. Për çdo vërejtje rreth funksionimit të shtetit, përgjigja do të jetë monolitike, në formën e fjalës NEWBORN.
Tashmë boshe, NEWBORN po shndërrohet në simbol brenge, për rrëfimtarin, i cili sikur anëtarët e Shoqatës së pronarëve të stacioneve të policisë, mbetet pa fjalë për të përshkruar shtëpinë e vet.