E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilardo: Vetëm Jezusi e largon Diegon

E ardhmja e Diego Armando Maradonës në stolin e përfaqësueses argjentinase do të vendoset të hënën. Pas dy humbjeve me Brazilin dhe Paraguain, të cilat komplikuan kualifikimin e "selesion" në fazën finale të Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut, presidenti i federatës (AFA), Hulio Grondona, ka kërkuar një ballafaqim me "Pibe de Oro". Shkarkimi i trajnerit nga detyra shihet ende si një hipotezë e pamundur për t‘u realizuar, megjithëse skuadra klasifikohet e pesta në grupin e Amerikës Jugore, e ndoshta do të jetë e detyruar të zhvillojë ndeshje "play-off" për të marrë pjesë në Kupën e Botës.

Rezultatet negative (katër humbje, tri prej të cilave u regjistruan radhazi), të shoqëruara nga një lojë shumë e dobët, e kanë shndërruar Maradonën në "shënjestrën" e mediave dhe në armikun e tifozëve. Pavarësisht kësaj, menaxheri i Argjentinës, Karlos Bilardo, del në mbrojtje të trajnerit. "Duhet të mos merreni më me diskutimet rreth së ardhmes së stolit. Vetëm nëse vjen Jezu Krishti apo Shën Mëria mund ta pranoj idenë e ndryshimit të trajnerit. Edhe Maradona ka qenë i qartë në deklaratat se askush nuk do të largohet. Kur ecuria e skuadrës nuk është e kënaqshme, përsëritet gjithmonë e njëjta çështje", deklaroi ai gjatë një konference për shtyp. Në këtë mënyrë u përjashtua mundësia që 48-vjeçari të largohet nga "timoni" i skuadrës përpara mbylljes së eliminatoreve. "Eliminatoret e Botërorit 2010 duhet të përfundojnë ashtu si kanë nisur: kanë mbetur vetëm dy ndeshje nga fundi". Bilardo ka komentuar edhe spekulimet se Maradona mund "të përjashtojë" nga dy takimet e fundit në grup (me Perunë dhe Uruguain, këta të fundit janë rivalë direkt për vendin e pestë) disa prej lojtarëve që militojnë në kampionatet e ndryshme europiane, të cilët nuk janë paraqitur në nivelin që pritej. Së fundmi, në qendër të kritikave të trajnerit kanë qenë Lionel Mesi, Havier Maskerano dhe Serxho Aguero. Ai tha: "Nuk mund ta ‘heqësh qafe‘ atë (Mesin), vetëm sepse nuk luajti mirë. Ta marrë e mira, Argjentina ka në kontingjentin e saj lojtarë që cilësohen mes më të mirëve në botë. Është e vërtetë që ndodhemi në një situatë mjaft të vështirë në grup, por kam besim se përfaqësuesja jonë do të luajë në Afrikën e Jugut". E vërteta është se në dy ndeshjet e fundit, skuadrës nuk i lejohen më hapa fals. Hera e fundit që Argjentina nuk ka marrë pjesë në Kupën e Botës ka qenë në edicionin e vitit 1970.

Edhe pse drejtuesit e federatës janë treguar të duruar me drejtuesin e stolit, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për tifozët. Të premten në mbrëmje, faqja zyrtare e AFA-s në internet u sulmua nga piratët informatikë (hakers), të cilët shfaqën një fotomontazh të Maradonës me fanellën e Kombëtares braziliane. Duke folur për këtë episod, e përditshmja "Clarin" citonte: "Një fotografi vlen më shumë se njëmijë fjalë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›