Berat, 7 komuna të panjohura me procesin e kartave të identitetit
Ende në disa prej komunave të Qarkut Berat nuk kanë shkuar pajisjet kompjuterike për fillim të procesit të aplikimit për kartat të identitetit. Sipas prefektit të Beratit, Thoma Rumniçi, në këto zona të largëta nuk ka filluar procesi, pasi si fillim rrjeti u shtri në komuna ku numri i qytetarëve arrin nga 7 deri në 8 mijë banorë.
Ndërsa për kohën e fillimit të procesit në këto zona, prefekti pohon se firma do të trasferojë pajisjet dhe mendohet se procesi do të fillojë për 1 javë. Po sipas kreut të prefekturës, numri i aplikuesve në rang qarku ka arritur në 12 mijë persona, ndërsa nga posta shqiptare janë shitur rreth 15 mijë kuponë, si dhe është bërë furnizim i dytë me 5000 kuponë të rinj. Gjithashtu, veç qendrave të hapura në qytete dhe komuna afër qyteteve, aktualisht procesi i aplikimit është shtuar dhe në 5 njësi vendore të qarkut Berat. Në lidhje me problemin e sinjalit të dobët të internetit, prefekti bën të ditur se më parë sinjali i internetit ka qenë i dobët, por aktualisht ky problem është zgjidhur nga firma Aleat. Tashmë çdo aplikim nuk zgjat më shumë se 5 minuta. Në lidhje me mosnisjen e aplikimit për kartat e identitetit në zonat malore si dhe problemet e dala në këtë proces, prefekti i Beratit Thoma Rumniçi tha se ka ende banorë që për njërën apo tjetrin problem dhe kryesisht persona deri në moshën 25-30 vjeç, nuk kanë shkuar të aplikojnë në qendrat e posaçme. Ai ka bërë thirrje që pas afateve të caktuara me ligj, do të ketë dhe sanksione në shërbimet që afrohen, për çdo person që nuk është i pajisur me kartën e identitetit.