Koçi: Berisha të kërkojë falje për Tropojën, Rama jo përgjegjës

Para dy ditësh kryeministri Berisha në një konferencë për shtyp deklaroi se kreu i opozitës, Edi Rama duhet të kërkojë falje publike për Tropojën për të vrarët në këtë qytet nga bandat me uniforma policie kur ai ka qenë ministër i PS-së. Kjo deklaratë erdhi si pasojë e vizitës së Ramës në qytetin e tij të lindjes. Kryetari i PSV 91, Petro Koçi në periudhën pas 14 shtatorit 98 deri në përfundim të Luftës Çlirimtare të Kosovës 1999 ka drejtuar Ministrinë e Rendit. I pyetur nga gazetarët, nëse Rama duhet të kërkojë falje për Tropojën, Koçi tha se Rama nuk ka asnjë lidhje me ngjarjet e Tropojës.
Sipas tij, Rama ka kërkuar një falje të përgjithshme për 8 vitet e qeverisjes së PS. Politikani që duhet të kërkojë falje për ngjarjet e Tropojës dhe mbarë Shqipërisë është Sali Berisha. Por ai se ka atë kurajo. As për Gerdecin e freskët nuk e kam dëgjuar akoma të kërkojë falje, u shpreh kryetari Koçi. Lidhur me komentimin e deklaratave të Berishës për Tropojën, Koçi gjykon se këto deklarime publike të politikanëve të një pale që synojnë konfliktizimin personal të politikanëve rivale me krahina të caktuara në veri apo jug të vendit, mbeten sjellje të një pragmatizmi me dimension antikombëtar. Keto deklarata, Koçi i ka cilësuar si qëndrime djallëzore, të cilat nxisin përçarjen ndërkrahinore dhe dëmtojnë unitetin kombëtar. Ai solli në kujtesë ndalimin e dhunshëm të takimit të ish kryetarit të PSSH, Fatos Nano në qytetin e Shkodrës në periudhën para arrestimit të tij dhe deklarata e papërgjegjshme e Berishës ish-president, S'ke pse shkon në Shkodër zotni!".Berisha nuk ka ndryshuar. Shqipëria po, u shpreh Koçi. Ai tha se nëse politika në përgjithësi mban përgjegjësi për zhvillime kriminale në një terren te caktuar, atëherë mbartësit e qëndrimeve të mësipërme janë fajtorë. Lidhur me pyetjen se çfarë ka ndodhur pikërisht në Tropojë, Koçi pohoi se rendi në këtë rreth po vendosej në fillim të vitit 99, muajt janar- shkurt, zhvillimet e mëvonshme që lidhen me dëbimin masiv të shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë dhe drejt Tropojës në veçanti e bënin të pamundur ndërhyrjen e përqendruar për të vendosur normalitetin pa përfunduar konflikti i armatosur në Kosovë. Ai tha se policia ka përballuar ngarkesën kryesore në ruajtjen e stabilitetit të vendit me mbërritjen e rreth gjysmë milioni vëllezërish nga Kosova, sidomos në eliminimin e ngjarjeve kriminale që mund të implikonin të ardhurit me mjedisin vendor, apo në procesin e pritjes, akomodimit dhe ruajtjes së mjediseve, ku u përqëndruan bashkëkombësit tanë. Koçi solli në kujtesë se plani i Millosheviçit dhe i shërbimeve sekrete serbe në atë kohë ka qenë jo vetëm spastrimi i Kosovës, por edhe destabilizimi i Shqipërisë. Berisha ka 'meritën' që në atë kohë bënte nga një miting çdo mbrëmje, në të cilat e quante qeverinë hajdute, komuniste dhe tradhtare, u shpreh Koçi, duke vijuar se kjo ishte arsye e mjaftueshme që edhe të ardhurit nga Kosova të bashkoheshin me Saliun për të rrëzuar qeverinë.
Last Updated on Monday, 23 March 2009 22:37
Last Updated on Monday, 23 March 2009 22:37