E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, Këshilli i PS-së: Duam Ramën në krye të partisë

Mbështetet edhe rezoluta e asamblesë, por hidhet si opsion mospjesëmarrja në Kuvend

TIRANË - Këshilli Socialist i rrethit Berat mbështet plotësisht rezolutën e Asamblesë Kombëtare të PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit. Pas një takimi të zhvilluar, ky këshill ndan të njëjtin qëndrim me asamblenë, sa i përket faktit se zgjedhjet e 28 qershorit prodhuan një rezultat, që nuk pasqyron vullnetin e popullit shqiptar. Megjithatë, Këshilli Socialist i rrethit Berat nuk përputhet në një pikë të rezolutës, asaj që lidhet me strategjinë që PS-ja do të ndjekë në të ardhmen, e cila fillon me pjesëmarrjen e grupit parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e ardhshëm.

"Duke shprehur edhe një herë mbështetjen tonë, për rezolutën e Asamblesë Kombëtare, parashtrojmë para Kongresit të PS-së, si mundësi për të përfshirë në rezolutë, opsionin e mosprezencës në Kuvend të grupit parlamentar të PS-së deri në vendosjen në vend të ligjit dhe hapjes po sipas ligjit të kutive të votimit të kërkuara prej nesh në Berat, me qëllim rinumërimin e votave të numëruara keq dhe rivlerësimin e fletëve të votimit të nxjerra të pavlefshme",- thuhet në vendimin e Këshillit Socialist të Beratit. Për këtë arsye, ata u bëjnë thirrje të gjithë përfaqësuesve të qarqeve të tjera në kongres, të përkrahin e mbështesin këtë opsion, si pjesë të veprimit politik të PS-së, që nis këtu e duhet të përshkallëzohet deri në protesta demokratike, për të rikthyer legjitimitetin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Ata i kërkuan gjithashtu kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të udhëheqë veprimin politik të kësaj partie në këtë synim demokratik, të ligjshëm e kushtetues. Ata, gjithashtu, do të japin mbështetjen për rikonfirmimin e Ramës në krye të PS-së. Në këtë këshill morën pjesë kryetarët e PS-së në çdo njësi vendore të rrethit të Beratit dhe delegatët e Kongresit të PS-së të rrethit të Beratit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›