PDK: Nuk njohim zgjedhjet e qershorit
PDK: "Paratë e dyshimta u përdorën të blejnë vullnetin e zgjedhësve"
TIRANË - Partia Demokristiane do të jetë forca e parë politike nga e djathta, që nuk do të njohë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kryesia e PDK-së u mblodh dje për të analizuar situatën zgjedhore, duke vendosur se zgjedhjet e qershorit nuk ishin të lira dhe të ndershme, e për pasojë, ato nuk do të njihen nga kjo parti. "Kryesia e Partisë Demokristiane, duke analizuar faktet e mbledhura, gjykon se zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të ndershme, dhe rezultati i tyre nuk shpreh vullnetin real të votuesve shqiptarë. Në këto zgjedhje, sipas kryesisë së PDK-së, humbësit më të mëdhenj ishin votuesit shqiptarë, demokracia e brishtë, standardet dhe pluralizmi politik. Kodi Zgjedhor i imponuar nga dy partitë e vjetra, la të papërfaqësuar në Parlament qindra mijëra qytetarë shqiptarë",- thuhet në vendimin e kësaj force politike.
Sipas kryesisë së PDK-së, fushata zgjedhore u zhvillua nën trysni të jashtëzakonshme. "Përdorimi i shtetit në fushatë, i gjuhës së urrejtjes dhe i presionit të gjithanshëm ndaj rivalëve politikë dhe në veçanti ndaj kandidatëve dhe mbështetësve të partive që nuk përfshiheshin në dy koalicionet e mëdha, krijoi një klimë terrori dhe frike te votuesit. Partia Demokristiane, gjatë gjithë fushatës elektorale u sulmua egërsisht nga liderë kryesore të partisë në pushtet. Njerëzit e saj u vunë nën presion në të gjithë vendin, duke penguar zhvillimin e një fushate normale zgjedhore. Për fat të keq, gjatë kësaj fushate u konstatuan shembujt më të këqij të korrupsionit elektoral, kur paratë e dyshimta u përdorën për të blerë vullnetin e zgjedhësve, duke shfrytëzuar varfërinë dhe skamjen e krijuar nga keqqeverisja", - thuhet në vendimin e kryesisë. Vendimi i kryesisë së PDK-së pritet që të miratohet në mbledhjen më të afërt të Këshillit Kombëtar të kësaj partie.