Berat, UNESKO 1.3 milionë USD për zonën muzeale
BERAT – Nis restaurimi i Kishës së Shën Kollit në Berat. Pas kërkesës së drejtuesve lokalë, UNESKO ka hapur thesin për zonën muzeale të qytetit 2400-vjeçar. Objekti i parë që do të restaurohet është kjo kishë që ndodhet në kalanë e Beratit, një monument kulture që daton në shekullin e XVI. Përfaqësuesja e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Edlira Çaushi, bëri të ditur se fondi i dhënë nga UNESCO për Qendrën e Restaurimit të Monumenteve të Kulturës është rreth 1.3 milion dollarë. Në të përfshihen një sërë projektesh të rëndësishme që do të realizohen, siç janë restaurimet e objekteve muzeale që janë monument kulture. Sipas Çaushit, është një ekip prej 10 inxhinierësh e arkitektësh, të cilët pas restaurimit të Kishës së Shën Kollit, do të fillojnë ndërhyrjen restauruese edhe në 3 monumente të tjera të rëndësishme të qytetit të Beratit, në Kishën e Shën Mëria Vllahernës, Kishën e Shën Triadhës dhe Xhaminë e Kuqe. d.xh