Izolohen katër fshatra për 100 m rrugë
KORÇE - Prej katër vitesh, fshatrat Nikolicë, Sinicë, Qytezë dhe Arrëz të komunës së Drenovës janë të izoluara. Dikur në këto fshatra arrije për rreth 90 minuta, ndërsa tani duhen të paktën katër orë. Mjetet për të shkuar atje duhet të devijojnë drejtimin, ose përmes Kolonjës, ose përmes rrethit të Devollit. Rruga rurale tradicionale e këtyre fshatrave dilte në majën e Bigllës dhe më pas zbriste në Korçë. Por në vendin e quajtur “Kthesa e Malit të Kuq”, afro katër vjet më parë u ndërtua një pistë për ski. Gjatë procesit të punës, aty u prish rreth 100 metra rrugë automobilistike. Biznesmenët që investuan për pistën e skisë u larguan pa e rregulluar pjesën e prishur, duke izoluar 500 banorë të këtyre fshatrave të thella. Sipas banorëve, kjo rrugë është ndërtuar nga ushtria disa dekada më parë. Fshatrat Nikolicë, Arrzë, Qytezë, Sinicë, por shpesh edhe gjithë fshatrat e komunës së Mirasit, e përdornin këtë rrugë si urë lidhëse me qytetin. Por nga momenti që ajo u shkatërrua, banorët po përballen me vështirësi të mëdha. Më e vështirë bëhet në stinën e dimrit, kur trashësia e dëborës arrin një metër. Mallrat ata i ngjisin apo zbresin me kuaj si në mesjetë. Komuna e Drenovës, në juridiksionin e së cilës bëjnë pjesë edhe këto fshatra, nuk pranon bllokimin e rrugës dhe justifikon gjendjen me numrin e pakët të banorëve në këtë zonë. Ndërsa banorët e izoluar pohojnë se kanë trokitur në Këshillin e Qarkut dhe në Prefekturë, por deri më tani nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje. Të izoluarit luten të mos sëmuren pasi mbas katër orësh kur të shkojnë në spital, ndoshta nuk do të arrijnë të gjallë. Zona prej disa vitesh është braktisur nga shumica e banorëve. Ndërsa ata që kanë mbetur jetojnë me prodhimet e tyre, të cilat me shumë vështirësi arrijnë t’i çojnë në qytet për t’i tregtuar. j.gj