E Diel, 1 Nëntor 2026

E sollën sherrin nga Italia, qëllohen me armë në lokal, plagosin kamerierët



Durrës – Një konflikt i armatosur u regjistrua dje në plazhin e Durrësit. Dy persona teksa janë konfliktuar me njëri tjetrin në një nga lokalet e plazhit, dhe njëri prej tyre ka dashur t’i mbyllë gojën njëri-tjetrit me plumba. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën e quajtur “Hekurudha” ku si rezultat i të shtënave kanë mbetur të plagosur dy kamerierët e lokalit, Sokol Shëngjergji, 28 vjeç, dhe S. Rustani, 17 vjeç, të cilat ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Konflikti
Sipas të dhënave policore, dy personat e përfshirë në konflikt, Leonard Lusha, 32 vjeç, dhe Eduart Meta, 33 vjeç, mësohet të kenë qenë emigrantë në shtetin italian dhe se e kanë sjellë prej andej konfliktin e vjetër për ta vazhduar në qytetin bregdetar. Ndërsa kamerierët, që kanë mbetur të plagosur në këtë konflikt të armatosur, nuk kanë pasur lidhje me situatën, por po bënin detyrën e tyre në shërbim të klientëve. Burime policore thanë për gazetën se fillimisht ka pasur grindje me fjalë mes dy personave të njohur të vjetër. Më pas njëri prej tyre i është përgjigjur tjetrit me të shtëna armësh ku për pasojë mbetën të plagosur kamerierët e lokalit; Sokol Shëngjergji dhe S. Rustani, të cilët janë dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit për ndihmë mjekësore. Leonard Lusha, dyshohet të ketë qenë, personi që ka shtënë me armë në drejtim të Eduart Metës. Sipas dëshmitarëve agresori ka dalë nga lokali me shpejtësi për t’u larguar, por në afërsi ka ndeshur dy punonjës të policisë së qarkullimit rrugor, të cilët kanë qenë me shërbim në atë zonë dhe me të marrë informacion për të shtëna armësh në lokal janë afruar menjëherë.
Raste
Më 13 janar 2009, rreth orës 17:00, i rënë në depresion dhe në gjendje të dehur, Reshit Adri mori kallashnikovin dhe doli në mes të fshatit Podgorie, të Komunës Vreshtas, rreth 20 kilometra larg qytetit të Korçës, duke qëlluar kuturu dhe duke shkaktuar terror në fshat. Plumbat ekzekutuan bashkëfshatarin e tij të pafajshëm, njëkohësisht i afërm i tij, Lulzim Laze, 41 vjeç, si dhe plagosën rëndë një grua. Viktima Laze ka qenë duke iu afruar shtëpisë së vet kur ka mbetur i vdekur në vend. Ai është transportuar për në morgun e Spitalit të Korçës, ndërsa bëhet e ditur se ka marrë katër plumba në kraharor. Burimet policore, por edhe të afërm të 53-vjeçarit, pohojnë se autori i krimit ka pasur probleme mendore që pas vetëvrasjes së djalit të tij. Tashmë shtetasi Reshit Adri akuzohet për veprat penale të vrasjes, armëmbajtjes pa leje dhe kërcënim të forcave të rendit. Dosja në ngarkim të tij i ka kaluar prokurorisë së rrethit. Më 9 prill 2009 shtetasi me inicialet R. A., ka sinjalizuar policinë duke pohuar se disa të afërm të tij po e kërcënojnë dhe forca të Komisariatit të Kurbinit, kanë shkuar menjëherë në vendin e denoncuar. Atje kanë gjetur një automjet, të cilit i kanë kryer një kontroll ku dhe gjetën një armë të tipit “Beretë”, si dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh. “Ne kemi kryer arrestimin në flagrancë të drejtuesit të automjetit, 49-vjeçarit Ajet Osmani, banues në Milot”, - thanë për gazetën “Albania” burime zyrtare policore. Nga hetimi doli se Ajet Osmani ka kanosur disa herë për vdekje, R. A., pasi kanë pasur një konflikt mes tyre, për arsye pronësie. Burimet hetimore treguan për gazetën se bëhet fjalë për një tokë që aktualisht shfrytëzohet nga R. A., por që Ajet Osmani, pretendon të jetë e tija.

U aksidentuar në autostradën Durrës-Tiranë, lufton me vdekjen 15-vjeçari
Durrës – Një luftë me vdekjen është një adoleshent nga rrethi i Durrësit, i cili u aksidentuar rëndë gjatë një incidenti rrugor. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes në zonën e Fermë Sukthit, kur 19-vjeçari Elis Bitri, banues në Sukth, Durrës, duke lëvizur nga Fermë Sukth ne drejtim të autostradës Durrës-Tiranë ka shkaktuar një aksident, me automjetin e tij të markës “KIA” me targë TR 5060 S. Në rrethana ende të paqarta, 19-vjeçari ka aksidentuar 15-vjeçarin J. H. nga zona e Fermë Sukthit. I plagosuri, në një gjendje kritike për jetën u dërgua në Spitalin Rajonal të Durrësit. Policia tha se ka shoqëruar në komisariat, 19-vjeçarin Elis Bitri, për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes së ndodhur.

11 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›