Dyluftimi në plazhin e Durrësit, arrestohet kamerieri 17-vjeçar
DURRES - Arrestohet kamarieri i plagosur në konfliktin me pistoleta në plazhin e Durrësit. Gjatë hetimeve të kryera rezultoi se 17-vjeçari S.Rustani nuk ishte rastësisht në vendin e ngjarjes, ashtu sikurse i ndodhi kolegut të tij Sokol Shëngjergji. Mësohet se 17–vjeçari, i cili është nipi i Eduart Metës (person i përfshirë në konflikt me Leonard Lushën), ka qëlluar me armë për të mbrojtur dajën e tij. Nga shkëmbimi i zjarrit, ai ka marrë plagë. Gjatë hetimeve, paraqitjes për njohje e personit, vendimi i ekspertimit mjeko - ligjor, dhe deklarimet e dëshmitarëve rezultoi se Rustani ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të disa personave të përfshirë në konflikt. Ai vazhdon të marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Durrësit dhe është jashtë rrezikut. Dyluftimi me pistoleta terrorizoi për disa minuta plazhin e Durrësit dy ditë më parë. Në kushtet e flagrancës është arrestuar njëri nga autorët Leonard Lusham 33 vjeç, emigrant në Itali. Në kërkim është i implikuari tjetër në ngjarje, Eduart Meta (Elezi). o.u