E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaket fundjava, vdes fëmija dhe një 45-vjeçar

 

DURRES/ ELBASAN

Tre aksidente të rënda janë regjistruar në harkun e 24 orëve në qarkun e Elbasanit dhe të Durrësit. Viktima të këtyre ngjarjeve janë një fëmijë 10 vjeç në Durrës dhe një 45-vjeçar në Elbasan, ndërsa dy motra u aksidentuan rëndë po dje në Librazhd. Policia e Durrësit bëri të ditur se fëmija i aksidentuar është 10-vjeçari Marsel Seda. I mituri ndodhej në fshatin Maminas, bashkë me disa bashkëmoshatarë të tij, kur rreth orës 20:00 është përplasur nga mjeti me targë DR 6559 C, që drejtohej nga 35-vjeçari nga Shënvlashi, Alban Shaba. I mituri pësoi plagë të rënda dhe u dërgua menjëherë në spitalin e Durrësit, por një orë më pas, ai ndërroi jetë. Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe shoqëroi drejtuesin e mjetit, i cili do të sqarojë edhe rrethanat e aksidentit. Burimet bënë të ditur se ende nuk është përcaktuar shkaku i ngjarjes, por dyshohet në dy pista të mundshme. Sipas ekspertëve të hetimit, dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të shpejtësisë së mjetit dhe daljes së gabuar të viktimës në rrugë. Drejtuesi 35-vjeçar e ka pasur të pamundur të manovrojë në kohë, e për pasojë përplasja ka rezultuar fatale. Mësohet se viktima banonte në Sukth. Familja e tij kishte disa vite që kishte ardhur për një jetë më të mirë në Durrës. Fëmija kishte shkuar dje për vizitë te disa të afërm të tij në Maminas, fshat që ndodhet shumë afër banesës së tij. Ndërkohë, aksidenti me vdekje në Elbasan është regjistruar në orët e vona të së premtes, viktimë e së cilës mbeti 45-vjeçari nga Elbasani, Qemal Abedini. Sipas policisë, aksidenti ndodhi në aksin Elbasan —Fshati Letan, rreth orës 23:00. Mjeti tip maune, që drejtohej nga Abedini, ishte duke udhëtuar në drejtim të Elbasanit. Por 45 - vjeçari ka humbur kontrollin duke përfunduar jashtë rrugës. Për pasojë edhe të shpejtësisë së madhe me të cilën ai po udhëtonte, viktima ka pësuar plagë tepër të rënda. Ndihma e parë iu dha në spitalin e Elbasanit, por për shkak të gjendjes tepër të rëndë të tij, mjekët e nisën me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Megjithë ndihmën e dhënë, viktima nuk mundi t’i mbijetojë plagëve që ai kishte marrë. Sipas policisë, 45 – vjeçari, banues në lagjen “Dyli Haxhire Myzyri” në Elbasan, po ecte me shpejtësi tej normave të lejuara, çka shkaktoi edhe aksidentin tragjik. Aksident që për pak precipitoi me viktima u shënua dje edhe në Librazhd. Ngjarja sipas policisë ndodhi në orët e paradites në aksin nacional Elbasan- Librazhd. Mjeti me targa greke, NEM 2769 ka bërë një parakalim të gabuar të një autobusi të linjës Tiranë- Korçë. Për pasojë, është përplasur me një makinë me targa italiane AD 220 R, duke plagosur rëndë dy motrat Valmira dhe Valbona Rama, përkatësisht 35 dhe 30 vjeçe. Pas ndihmës së parë në spitalin e Librazhdit, për shkak të gjendjes së rëndë të tyre, viktimat janë dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për një trajtim më të specializuar. Policia bëri të ditur se shkak i aksidentit ishte shpejtësia e madhe dhe parakalimi i gabuar i mjetit me targa të Greqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›