E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, bie muri, punonjësit e ujësjellësit rrezikojnë jetën

Katër punonjës të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve kanë rrezikuar jetën e tyre gjatë punimeve të zhbllokimit të pusetave të ujërave të zeza në lagjen "Muzakaj". Ngjarja ka ndodhur pas mesdites së djeshme në qytetin e Beratit, kur 4 punëtorët ishin në proces pune. Një mur me lartësi 4 metra, ngjitur afër pallatit ku kishte probleme të kanalizimeve, ka rënë mbi punëtorët. Për shkak të largimit disa momente para shembjes, punëtorët kanë shpëtuar duke lënë veglat e punës në gropat e pusetës. Ka qenë njëri nga punëtorët, i cili ka parandjerë shembjen në momentin kur muri ka bërë një spostim me zhurmë. Më pas punëtori ka ndihmuar shokët e tij, të cilët kanë dalë të tmerruar. Ndërsa njëri nga punëtorët, Hysen Gjata, duke qenë i sëmurë me tension për shkak të trembjes ka pasur probleme me rritjen e tensionit. Kanë qenë banorët që i kanë ardhur në ndihmë punëtorit të ndërmarrjes. Shembja e murit ka vënë alarmin dhe tek banorët e pallatit që ndodhet afër shkollës së mesme "Kristaq Capo" në qytetin e Beratit. Banorët kanë dalë kur kanë dëgjuar britmat e punëtorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›