E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha premton hapjen e universitetit në Berat

Pas vizitës së Berishës reagojnë deputetët e PS-së: Berisha gënjeu me investimet

BERAT- Duke sfiduar realitetin e rënduar të krijuar në sistemin e arsimit të lartë nga liberalizimi i pakontrolluar i shkollave të larta, kryeministri Sali Berisha i është kthyer projektit të paraardhësit të tij, për të hapur një universitet edhe në qytetin e Beratit. Ky ishte premtimi i radhës që shefi i mazhorancës qeverisëse ka bërë dje gjatë vizitës që ka kryer në qytetin e Beratit në kuadër të turit të tij "Shqipëria në NATO". I shoqëruar nga ministri Sokol Olldashi, kryeministri është ndalur në një sërë takimesh, ku natyrisht nuk kanë munguar dhe prerja e një sërë shiritash përurimi për një sërë punimesh të kryera, pavarësisht kohës së realizimit të tyre. Fillimisht ai është ndalur në komunën Poshnjë ku ka parë nga afër një investim privat në këtë zonë. Më pas vizita e kreut të qeverisë ka vijuar në komunën Otllak, ku përveçse është takuar me këshilltarët e kësaj komune ka inaguruar përfundimin e dy investimeve të rëndësishme për banorët e një sërë fshatrave të saj. Kryeministri ka vlerësuar punën e bërë nga pushteti vendor në këtë komunë, duke e konsideruar atë si një shembull për njësitë e tjera të qeverisjes vendore. Ai nuk ka nguruar që të jap mbështetjen e qeverisë së tij edhe projektet e tjera që janë në planë për tu realizuar. Turi i kryeministrit ka vazhduar më pas në qytetin e Beratit, ku natyrisht edhe aty nuk ka munguar përurimi i një rruge ende të papërfunduar, siç është ajo në lagjen Vakëf. Ndërsa gjatë takimit të zhvilluar me nxënësit e shkollës së mesme "Babë Dudë Karbunara", kreu i qeveria duke parë nga afër kabinetin e informatikës, nuk ka nguruar që të premtoi të rinjve të këtij qyteti se shumë shpejt do të kenë mundësi që të arsimohen në universitetin e tyre. "Sërish qeveria ka një buxhet suplementar këtë vit dhe ne do t'u kalojmë këtë shumë komuniteteve dhe qeverive vendore në përdorim. Me kryetarin e bashkisë kemi rënë dakord të nisim punën për hapjen e universitetit të Beratit, të vendosim godinën e bashkisë në një ndërtesë të re, të përshtatshme dhe dinjitoze", - u shpreh kryeministri. Por deklaratat e kryeministrit gjatë kësaj vizite kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të drejtuesve të pushtetit vendor dhe dy deputetëve të këtij rrethi, Erion Braçe dhe Marko Bello, të cilët e kanë vlerësuar turin e Berishës si "turin e gënjeshtrave". Dy deputetët Braçe dhe Bello menjëherë sapo kryeministri ka përfunduar vizitën e tij kanë zhvilluar një konferencë për shtyp në ambientet e selisë rozë në këtë qytet ku dhe kanë paraqitur në mënyrë të detajuar investimet e shumta të kryera gjatë qeverisjes socialiste në këtë rreth, si një dëshmi për të vërtetuar gënjeshtrat e kryeministrit.

S.Gozhina

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›