E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, dështon për herë të dytë buxheti i Bashkisë



BERAT - Dështon për të dytën herë miratimi i projektbuxhetit në këshillin bashkiak të Beratit. Debatet ndërmjet subjekteve politike, në lidhje me menaxhimin e fondeve të mëparshme nga ana e bashkisë, kanë sjellë si pasojë edhe mosmiratimin e buxhetit për vitin 2010. Edhe disa ditë më parë, këshilltarët e djathtë të cilët kanë në koalicion edhe LSI-në, kundërshtuan miratimin e buxhetit duke i kërkuar kryebashkiakut Fadil Nasufi të jepte shpjegime në lidhje me transparencën e fondeve të mëparshme. Ndonëse Nasufi dhe stafi i tij u tërhoqën për disa minuta, duke përgatitur një material pas kërkesës së këshilltarëve të djathtë, sërish këta të fundit nuk pranuan t’i japin “OK” projektbuxhetit. Dje këshilltarët e LSI-së pasqyruan në mbledhje me fakte dhe foto të gjitha investimet dhe shumën e fondeve që janë përdorur nga bashkia. Edhe pse kryetari i bashkisë bëri një rezyme të situatës, në lidhje me përdorimin e fondeve, ai nuk arriti që të bindë të djathtët për t’i dhënë “OK” buxhetit që ka mbetur peng prej disa kohësh. Që në fillim të mbledhjes, Nasufi iu bëri thirrje të gjithë këshilltarëve të majtë dhe të djathtë, që të kalojnë projektbuxhetin, pasi sipas tij mos kalimi do të krijojë një krizë të thellë në këtë institucion. Por, këshilltarët i kërkuan Nasufit të jepte shpjegime pse bashkia nuk ka bërë tubacionin që kalon në mes varrezave. Nga amortizimi ato janë çarë duke rrezikuar banorët për epidemi. Këshilltarët e LSI–së deklaruan se bashkia i kishte marrë këto fonde me një projekt të veçantë me qëllim për t’i ndryshuar drejtimin tubacioneve. Por deri më tani asgjë nuk është bërë, ndaj ata kërkojnë të dinë se ku kanë shkuar këto fonde. Kryetari i këshillit bashkiak Arenc Berati, u shpreh se buxheti nuk do të aprovohej, derisa të bëhen transparente se ku kanë shkuar fondet e mëparshme. Dje në sallë ishin të pranishëm 29 këshilltarë, nga të cilët 16 i dhanë votën pro buxhetit ndërsa 18 kundra. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›