E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetë dëshmitarë: Punuam në Gërdec pa siguracion jete



Armand Bajrami

Bashkëshortja e magazinierit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec rrëfeu dje në gjykatë bisedën e fundit me të shoqin 30 minuta para shpërthimit dhe më pas gjetjen e trupit të pajetë 6 ditë më vonë. Mirela Dvorani, e veja e Endri Dvoranit, tha para gjykatës se i shoqi punonte pa kontratë punë në Gërdec dhe se nuk i kishte shfaqur shqetësime për rrezikimin e jetës. Ai e kishte siguruar dëshmitaren se në fabrikë ishin marrë të gjitha masat e nevojshme për çdo rrezik. Dëshmitarja Dvorani ishte një nga tetë dëshmitarët e pyetur dje në procesin gjyqësor në ngarkim të 29 të pandehurve të dosjes "Gërdeci" në Gjykatën e Tiranës. Dëshmitarët e tjerë, ish-punonjës të fabrikës së demontimit, treguan mbi kushtet e punës në fabrikën e Gërdecit. Në seancën e djeshme gjykata administroi një kërkesë të avokatëve për zhvillimin e seancës një herë të vetme në javë. Po kështu gjykata administroi edhe procesverbalin e policisë gjyqësore dhe tabelën fotografike mbi këqyrjen e mbeturinave të një saldatriçeje të gjetur në Gërdec, në janar të këtij viti.
DESHMITE
Pas tre seancash radhazi të dështuara të procesit "Gërdeci", dje Gjykata e Tiranës vijoi me dëgjimin e dëshmitarëve të akuzës. Dëshmitarja Mirela Dvorani tha dje se i vetmi shqetësim i shprehur nga bashkëshorti i saj për punën në Gërdec ishte orari i zgjatur. "Endri ka punuar në Gërdec si magazinier. Nuk ka pasur kontratë pune. Di që merrej me shënimin e materialeve që futeshin në fabrikë dhe të atyre që dilnin prej saj. Pushime javore nuk kishte", tha dëshmitarja. E pyetur nga prokuroria për shqetësime të shprehura nga bashkëshorti i saj, dëshmitarja tha se "bashkëshorti nuk më ka shprehur shqetësime, përveç orarit të zgjatur të punës". "Mbase donte të më qetësonte, por më thoshte që janë marrë të gjitha masat e duhura për çdo të papritur", vijoi ajo më tej. Dëshmitarja mohoi dje të kishte dijeni për dokumentacionin që zotëronte bashkëshorti i saj. "Nuk di çfarë dokumentacionesh mbante me vete Endri, pasi ai nuk sillte asgjë në shtëpi" rrëfeu ajo. Drejtues të fabrikës, dëshmitarja pohoi se kishte dëgjuar emrin "Tani" nga bashkëshorti. Si pronar të firmës që punonte në Gërdec ajo tha se dinte Mihal Delijorgjin, të cilin nuk e njihte, por bashkëshorti e kishte përmendur si emër dhe se komunikonte me të rrallë. Sipas prokurorisë, që kërkoi kundërshtimin e kësaj pjese të dëshmisë, para oficerëve të policisë gjyqësore, Mirela Dvorani kishte deklaruar se bashkëshorti i saj fliste shpesh me Delijorgjin dhe ai e instruktonte për punën. Të tjerë dëshmitarë të dëgjuar dje ishin Shqipe Aliu, Kujtime Gërdeci, Dhurata Hasani, Fatime Feza, Arjan Gërdeci, Lirim Palushi dhe Bahri Plloçi.

Punëtori: Si e nxora gruan të gjallë nga flakët
TIRANE - Bahri Plloçi, ish-punonjës në Gërdec, dëshmoi dje para togave të zeza si ishte futur mes flakëve për të shpëtuar bashkëshorten e tij. Sipas dëshmisë së dhënë para togave të zeza, ai tha se mesditën e 15 marsit 2008 kishte qenë vetëm 20 metra larg vendit ku lindi flaka që shkaktoi shpërthimin. Dëshmitari punonte në fabrikë me bashkëshorten, djalin dhe nipin e tij. "Unë isha me shpinë nga flaka, por djali im që e kishte përballë klithi 'babi mori!'. Thërrita për nipin, që punonte me ne. U nisëm të ikim. Kur dola nga dera e fabrikës u kujtova për bashkëshorten. U ktheva dhe e gjeta të ndezur në flakë. E fika dhe e nxora jashtë. Pastaj u ktheva sërish edhe për të marrë dikë tjetër. Pastaj, rreth 7-8 vetë u strehuam në një bunker aty pranë. Kemi ndenjur aty për dy orë e gjysmë. Bashkëshortja u plagos nga një predhë në këmbë, si edhe pësoi djegie në trup", tha dëshmitari. Dëshmitari tha se si punonjës në fabrikën e demontimit, nuk kishte nënshkruar kontratë. "çdo mëngjes instruktoheshin për procesin e punës, por nuk na është thënë se si do të vepronin në rast zjarri", tha dëshmitari. Në fabrikë, dëshmitari kishte punuar si transportues i materialeve brenda fabrikës, për të cilat pohoi se prisheshin herë pas here. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›