E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat grabisin 3 klandestinë



SARANDE – Tre klandestinë bien pre e grabitësve me armë e maska në fshatin kufitar të Xarrës, në Sarandë. Ngjarja e ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të dielës, është e katërta në harkun kohor të gjashtë muajve në pikat kufitare dhe e treta në fshatin Xarrë. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në fushat e fshatit Xarrë, rreth 2 km larg qytetit Antik të Butrintit. Tre persona, duke përfituar edhe nga errësira e natës u kanë dalë përpara dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur shtetasit B.L, 18 vjeç nga Dibra, S.S, 19 vjeç nga Kukësi dhe M.S, 27 vjeç po nga Kukësi, të cilët po tentonin të kalonin ilegalisht kufirin për në shtetin helen. Nën kërcënimin e armës, tre maskat, u kanë grabitur klandestinëve sendet e tyre personale që ata kishin me vete, mes të cilave edhe 2 telefona celularë si dhe një sasi prej 180 euro. Forca të shumta policore kanë krehur gjithë zonën, por pa mundur ende të identifikojnë dhe kapin autorët përgjegjës. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›