Berat, erozioni izolon një lagje fshati dhe rrezikon 15 shtëpi
Rrëshqet masivi i dheut, 15 familje të fshatit Krekëz të rrethit të Beratit rrezikojnë të mbeten të pastreha. Masivi është shkëputur nga pllaja e kodrës që ndodhet shumë pranë zonës së banuar dhe si pasojë është bllokuar rruga që lidh lagjen "Toskë" me pjesën tjetër të fshatit me rreth 400 banorë. Po si të mos mjaftonin të gjitha këto, si pasojë e rrëshqitjes ka devijuar nga rrjedha e tij përroi i fshatit, duke krijuar në mes të lagjes një rezervuar uji që në rast reshjesh intensive rrezikon të përmbytë gjithë fshatin. Kryeplaku i Krekëzës, Krenar Ago, tha se mbrëmjen e së martës, rreth orës 21:30, nga kodra e fshatit është dëgjuar një zhurmë e madhe e shoqëruar me shkëputjen e një masivi shkëmbinjsh të vegjël dhe dheu. Banorët e lagjes "Toska" janë ngritur të alarmuar dhe kanë parë masën e dheut që duke zbritur me shpejtësi nga kodra, ka marrë përpara gjithë të mbjellat dhe oborret e banesave të tyre. Ata e kanë kaluar natën jashtë me frikën se masivi i shkëputur mund të merrte përpara dhe banesat e tyre, ndërkohë që rrëshqitja është ndier dhe nga të gjithë banorët e fshatit Krekëz. Mëngjesi i së mërkurës i ka gjetur banorët plotësisht të izoluar, pasi rruga e vetme e këtij fshati është plotësisht e bllokuar. Ndërkohë, është vërejtur se rrëshqitja e masivit ka devijuar krejtësisht dhe rrjedhën e përroit të fshatit. Uji ka përfunduar mes lagjes dhe në rast reshjesh intensive rrezikohet përmbytja. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të sistemuar rrugën që i lidh me pjesën tjetër të fshatit. Mësohet se dje ka udhëtuar për në fshatin Krekëz, kryetari i komunës, Fadil Ago, dhe prefekti i qarkut, Thoma Rumniçi. E ndërsa prefekti Rumniçi ka premtuar se shumë shpejt një mjet i Ndërmarrjes së Ujërave do të mundësojë hapjen e rrugës nga dherat dhe shkëmbinjtë, kryetari i komunës tha se do të kërkojë që një grup specialistësh gjeologë të studiojnë zonën. Ky i fundit ka premtuar se banorët që kanë pësuar dëme materiale do të dëmshpërblehen, por për të zgjidhur problemin përfundimtar të kësaj dukurie duhet që zona të studiohet nga specialistët gjeologë. Tre vjet më parë në një tjetër fshat të kësaj komune, rrëshqitja e tokës shkatërroi pjesërisht pesë banesa dhe dhjetëra hektarë tokë me të mbjella. Fshati Koritës, në Komunën Lumas u trondit nga rrëshqitja, ndërkohë që asnjë masë nuk është marrë për parandalimin e kësaj dukurie.