Vjedhja e filialit të postës, ende pa autorë
Policia e Beratit ende nuk ka mundur të identifikojë autorët e vjedhjes së filialit të "Alba Postës" në qytetin e Poliçanit, ndonëse u deklarua se janë shoqëruar në organin blu disa të dyshuar. Burime të komisariatit të këtij qyteti bëjnë me dije se për këtë vjedhje janë marrë në pyetje dhjetëra veta, por ende nuk është bërë e mundur zbardhja e autorësisë. Po sipas të njëjtave burime gjatë gjithë ditës, por dhe mbrëmjes të së martës, policia ka shoqëruar për në dhomat e izolimit 10 persona si të dyshuar për vjedhjen, por asnjë prej tyre nuk ka rezultuar autor. Mësohet se janë marrë në pyetje pronarët e dyqaneve, lokaleve që ndodheshin shumë pranë godinës së filialit të "Alba Postës", por ende nuk ka të dyshuar konkretë. Në orët e vona të mbrëmjes të së martës është lënë i lirë përgjegjësi i kësaj zyre, Njazi Braho, pasi është marrë në pyetje për ngjarjen. Zyra e "Alba Postës" në qytetin e Poliçanit ra pre e vjedhjes gjatë orëve të para të ditës së martë, kur u grabitën rreth 1.5 milionë lekë, që do t‘u shpërndaheshin pensionistëve të këtij qyteti. Paradoksi sipas policisë qëndron në faktin se kasaforta është hapur lehtë, pasi çelësi i saj ishte në bravë kur shkuan hajdutët, ndërkohë që përgjegjësi i filialit kishte vendosur të tërhiqte paratë një ditë përpara se të fillonte shpërndarjen e tyre.