E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga tre shqiptarëve me 80 kg heroinë dhe 100 kg përzierës

Tre shqiptarë janë vënë në pranga në Milano të Italisë për trafik të lëndëve narkotike. Pas një kontrolli të ushtruar në apartamentin e tyre, karabinierët zbuluan 80 kilogramë heroinë, por edhe 100 kilogramë përzierës droge. Policia sekuestroi edhe disa dokumente ku figuronin bilancet e regjistruara nga të ardhurat e drogës. Aksioni është bërë në një banesë në rrugën Valsugana (në zonën e ndaluar Porta Romana) ku u gjetën 80 kg heroinë dhe 100 kg përzierës. Gjatë aksionit policia ka konfiskuar dhe disa materiale të tjera që përdoreshin për përzierjen e lëndëve narkotike. Burimet zyrtare thanë se, në pranga ka rënë Çlirim Goroshjani, 38 vjeç, emigrant shqiptar, i cili është cilësuar si kreu i kësaj organizate kriminale dhe i dënuar më parë për drogë, në vitin 1998, në Itali. Në pranga bashkë me Goroshjanin janë vënë dhe dy shokët e tij, Sokol Qaja dhe Mirvjen Alliu, të dy të moshës 25 vjeç. Këta të fundit kishin për detyrë të paketonin drogën që shitej në treg. Policia italiane është çuditur nga ambienti që ka gjetur brenda banesës ku ishin shqiptarët. Muret, tavani dhe dyshemeja ishin të mbuluara nga pluhuri i kafetinës, paracetamolit dhe substancave të tjera që shërbejnë për të përzierë heroinën. Në katin përdhes të banesës është gjetur sasia e lëndës narkotike dhe e përzierësit. Në një tjetër banesë karabinierët kanë gjetur dhe sekuestruar dhe 36 mijë euro kesh. Policia tha se, të arrestuarit janë në pritje të masës së sigurisë. Goroshjani është personi, i cili kohë më parë i shpëtoi një atentati në një lokal të njohur në zonën e "Ali Demit". Pas këtij atentati, ai u largua sërish drejt Italisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›