Qeveria firmos: Mbrojtje gjyqtarëve dhe prokurorëve
Të gjithë gjyqtarët, të cilëve iu cenohet siguria e jetës së tyre, e familjes, por edhe prona private, do të kenë të drejtën e një ruajtjeje fizike. Qeveria ka miratuar dje kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë, e cila përcakton që në rast se një gjyqtari apo prokurori të Krimeve të Rënda do t‘i rrezikohet jeta e tij, atëherë ai duhet t‘i drejtohet Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me një kërkesë me shkrim. Kërkesa e këtij gjyqtari apo prokurori do t‘i nënshtrohet edhe shqyrtimit të saj nga ana e një komisioni, i cili do të ngrihet në KLD. Në krye të këtij komisioni do të jetë përfaqësuesi i KLD-së, ndërsa në raste të veçanta do të caktohet një tjetër person, i cili do të ketë atributet e kryetarit. Në komision do të jetë prezent një përfaqësues nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, kryetari i Gjykatës pranë të cilës ushtron detyrën gjyqtari në rrezik, një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe një përfaqësues i Ministrisë së Financave. Gjyqtari, i cili ka paraqitur kërkesën për mbrojtje të veçantë, duhet të shpjegojë ekzistencat e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e tij, si dhe ekzistencat e lidhjes shkakësore midis rrethanave serioze dhe ushtrimit të detyrës nga gjyqtari. Në fund, komisioni vendos edhe afatin e mbrojtjes së gjyqtarit, por ky afat edhe mund të zgjatet, në rast se rrethanat për të vazhduar mbrojtja ekzistojnë. Ndërkohë, qeveria ka vendosur se gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit për Krime të Rënda, të cilët gjykojnë çështjet me problematikë gëzojnë statusin e mbrojtjes së gjyqtarit. Për këta gjyqtarë, është parashikuar që t‘u sigurohet financiarisht nga shteti jeta, aftësia për punë dhe prona.