E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liqeni nxjerr kufomën e një të zhdukuri

Kufoma e një personi të zhdukur rreth pesë muaj më parë është nxjerrë nga dallgët e liqenit në bregun e Tushemishtit. Ka qenë ora 5:30 e ditës së djeshme, kur në afërsi të një lokali të zonës është gjetur trupi i dekompozuar i një personi të seksit mashkull. Policia ka deklaruar se viktima ka qenë i dekompozuar gati plotësisht, gjë që tregon se ai ka vdekur i mbytur kohë më parë dhe më pas është nxjerrë nga dallgët në breg. Pas më shumë se pesë orë kërkimesh për identitetin e këtij personi, policia ka mundur të zbulojë se bëhet fjalë për Arjan Liçkollarin nga fshati Vërdovë i Pogradecit, i cili ishte shpallur i zhdukur nga të afërmit që nga janari i këtij viti. Pas më shumë se pesë muajsh kërkime nga ana e familjarëve më në fund ata kanë identifikuar në morg 37-vjeçarin që mendohet se është vetëmbytur në liqen. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se familjarët e Liçkollarit kishin denoncuar në polici largimin e tij nga shtëpia dhe ai ishte shpallur në kërkim që nga 7 janari. Ndërkaq, policia pohon se duke u nisur nga shkalla e dekompozimit të kufomës, mendohet se burri është mbytur pak kohë, pasi ishte larguar nga banesa e tij. Të afërmit kanë deklaruar se viktima vuante nga depresioni, sëmundje për të cilën ai kishte një vit që kurohej me medikamente. Kufoma është mundur të identifikohet nga veshjet që kishte në trup, një bluzë ngjyrë jeshile, pantallona kadife dhe atlete. Të afërmit e tij kanë identifikuar në morg. Policia ka deklaruar se nga këqyrja e kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dëmtime të tjera, duke përjashtuar mundësinë e vrasjes. Për grupin hetimor, pista më e mundshme është ajo e vetëmbytjes në ujërat e liqenit për shkak të depresionit. Gjithsesi, kufoma do t‘i nënshtrohet një ekspertize më të detajuar për të nxjerrë një konkluzion zyrtar të ngjarjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›