Shtirej si i varfër, pranga trafikantit të kokainës
Shtirej sikur ishte i varfër për të marrë asistencën sociale që shteti italian ia siguronte, por në të vërtetë emigranti 40-vjeçar, Alfred Tafa, ishte një trafikant i pasur i kokainës. Kështu shkruajnë mediat italiane në lidhje me shqiptarin e arrestuar nga antidroga. Në zbulimin e mashtrimit mësohet se kanë qenë karabinierët e provincës së Torinos, të cilët kanë arrestuar 40-vjeçarin së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij shqiptarë Arben Tako dhe Kujtim Ukthaci, përkatësisht 41 dhe 42 vjeç. Pas verifikimeve, policia ka zbuluar se Alfred Tafa kishte një llogari bankare, e cila arrinte në 100 mijë euro. Pas përgjimeve të telefonatave është zbuluar se 40-vjeçari ishte pronar i një vile në Shqipëri në vlerë rreth 200 mijë euro. Mediat italiane shkruajnë se Alfred Tafa ditën hiqej si i varfër, ndërsa natën kryente aktivitetin e shpërndarjes së lëndës narkotike. Hetimet e policisë italiane zgjatën 7 muaj dhe karabinierët sekuestruan 250 gramë kokainë të pastër 90%, si dhe u arrestuan dy italianë që furnizoheshin nga shqiptari.