E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazliç, përfundojnë sërish afatet hetimore

Drejt dështimit një nga dosjet më të bujshme që ndodhen në prokurori. Afatet e hetimet për biznesmenin serbo-boshnjak kanë përfunduar dhe njësia hetimore Task-Forcë është në dilemë për shtyrjen e afateve apo për pezullimin e hetimeve deri në ardhjen e letër-porosive nga pesë shtete. Grupi hetimor do të vendosë për fatin e dosjes sot, kur përfundojnë zyrtarisht afatet e hetimit dhe për veprimet që do të ndërmerren pas këtij vendimi. Nëse pezullohet dosja, atëherë organi i akuzës do të presë letër-porositë dhe në rast se këto vijnë atëherë do të rihapet sërish. Por edhe ky vendim mund të ketë kosto ligjore, pasi mbrojtja e Fazliç mund të kërkojë në gjykatë kundërshtimin e vendimit të prokurorisë. Por në çdo rast, mbrojtja ka të drejta ligjore që të kundërshtojë grupin hetimor, ku më e mundshmja është shtyrja edhe 30 ditë të tjera.

Letër-porositë
Prokuroria pret edhe katër letër-porosi të tjera me qëllim zbardhjen e pastrimit të parave nga serbo-boshnjaku. Prokuroria e Tiranës tha se ka administruar në dosje vetëm letër-porosinë e Bosnjës rreth aktiviteteve të mundshme kriminale. Nga dokumentet që kanë ardhur në prokurori nga Ministria e Drejtësisë, Fazliç nuk ka kryer asnjë krim në Bosnjë, si dhe nuk rezulton asnjë transfertë nga firma "Crown Acquisition", me qendër në Shqipëri, te firmat e tij në Bosnjë. Prokuroria shqiptare dyshonte se Fazliç në shtetin boshnjak kishte kryer transferta bankare nga Tirana drejt Sarajevës në shuma të mëdha. Disa javë më parë, hetuesit e çështjes kanë dërguar letër-porosi edhe në Qipro, Kroaci, Zvicër dhe Angli, për të zbardhur pastrimin e parave nga shtetasi serbo-boshnjakë, Damir Fazliç, në Shqipëri. Dyshohet se në këto shtete ai ka kompani pa kapital, me anë të të cilave kryente pastrim parash. Sipas prokurorisë shqiptare, kjo veprimtari e ka pasur zanafillën në shtetin e Qipros, ku Fazliç ka shitur kompaninë "Crown Acquisition". Më pas dyshohet se transferoi paratë e shitjes së kompanisë në Shqipëri, duke arritur të blejë qindra dynymë tokë në Durrës. Por mësohet se prokuroria është thelluar në hetime dhe ka dërguar një letër-porosi në Zvicër, nga ku kërkohen më shumë detaje. Në këtë shtet ka të dhëna se Fazliç ka një kompani tjetër që ka shërbyer si nënkontraktore për shitjen e "Crown Acquisition". Gjithashtu, prokuroria shqiptare shpreson në një bashkëpunim të ngushtë me zviceranët edhe për transfertën e 1.7 milionë eurove nga Tirana në Zyrih. Një tjetër letër-porosi është dërguar në Kroaci, ku kërkohet informacion për disa kompani të tjera të Fazliç që veprojnë në këtë shtet. Ndërsa letër-porosia e dërguar drejt Anglisë shërben për marrjen e informacionit për rezidencat e Damir Fazliç. Vonesat e letër-porosive në këto shtete e kanë detyruar Prokurorinë e Tiranës që të shtyjë hetimet. Tashmë këto afate kanë përfunduar dhe prokuroria është në udhëkryq. Të pezullojë apo të shtyjë sërish hetimet?

Vendimet e gjykatave

Një problem tjetër për organin e akuzës për pezullimin e dosjes "Fazliç" janë edhe disa vendime të gjykatave shqiptare që kanë favorizuar biznesmenin serbo-boshnjak. Disa ditë më parë, Gjykata e Apelit vendosi se Fazliçit nuk mund t‘i sekuestrohet asnjë pronë apo pasuri e paluajtshme që ka ngritur në vendin tonë. Apeli nuk ka ndryshuar vendimin e gjyqtarit Dritan Broci, i cili e shpalli të "pafajshëm" serbo-boshnjakun, i cili dyshohet nga prokuroria se ka kryer disa vepra penale në Shqipëri. Vendimi i gjyqtarit Broci është vendosur në datën 31 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa prokuroria ngulmonte se Fazliç ka konsumuar akuzën e pastrimit të parave. Tashmë vendimi është i formës së prerë dhe Fazliç mund rimarrë pronat që ka blerë në Durrës. Akuza thotë se nisja e hetimeve ndaj serbo-boshnjakut bllokoi pak muaj më parë pasuritë e patundshme, që janë në emër të kompanisë "Crown Acquisitions". E gjithë pasuria e Fazliç në pjesën veriore të Durrësit, atje ku është deklaruar se do të ndërtohet Parku Energjetik, është një sipërfaqe e konsiderueshme toke e regjistruar dhe e njohur zyrtarisht në emër të firmës. Duket se edhe këto vendime mund të ndikojnë në mbylljen përfundimtare të procesit hetimor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›