Berat, fëmijët në qendrën e të vobektëve mbesin pa bukë
BERAT – Fëmijët me aftësi të kufizuara të qendrës “Lira” në Berat po vdesin urie. Alarmi është dhënë nga drejtori i kësaj qendre Ali Qeseja. Sipas tij, 20 fëmijë me aftësi të kufizuara prej 5 muajsh janë pa ushqime dhe veshmbathje, pasi nuk është lëvruar fondi përkatës nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale. “Ne si drejtori kemi 5 muaj që nuk na kanë lëvruar fondin prej 15 milionë lekësh. Në këtë fond futen blerja e ushqimeve, veshmbathja dhe pagat e personelit”, bëri të ditur drejtori i qendrës. Mësohet se Ministria e Punës mbulon 80 për qind të shpenzimeve për qendrën “Lira”, ndërsa pjesa tjetër, prej 20 për qind mbulohet nga bashkia. Kjo e fundit sipas drejtorit Qeseja i ka shlyer detyrimet e veta. Sipas tij, ditët e fundit qendra me fëmijët e vobektë po përballet me një situatë të vështirë, aq sa ata po vuajnë edhe urinë. “Kemi marrë hua në disa firma ushqime, por nuk kemi mundësi t’i shlyejmë ende. Por tashmë as këto firma apo biznese nuk po na ndihmojnë më me ushqime dhe produkte të tjera për këta fëmijë me aftësi të kufizuar”, u shpreh drejtori i qendrës. Qendra “Lira” është ndërtuar më 27 tetor 2007 nga qeveria zvicerane për personat me aftësi të kufizuar. Gjatë ditës në këtë qendër paraqiten për mësime rreth 50 persona. Por vetëm 20 prej tyre që janë në gjendje më të rëndë, jetojnë në këtë qendër. Shpenzimi i planifikuar arrin në 15 milionë lekë për 6 muaj, fond i cili ende nuk dihet se kur do çelet. d.xh