Sistemi i adresave, ankesa në Shkodër
SHKODER – Ndonëse parashikohet që sistemi i adresave nga të gjitha njësitë vendore të përfundojë brenda vitit, në prefekturën e Shkodrës realizimi i tij duket shumë i vështirë. Përballë afatit të bërë të njohur nga ministri i Brendshëm, Nishani, drejtuesit vendorë në qarkun më të madh në veri shprehen të pamundur. Gjatë një takimi të organizuar dje në zyrën e prefektit Maxhid Cungu, ata kanë folur me rezerva për përfundimin në kohë. Një prej tyre, kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Gjon Marku, deklaroi se harta e përgatitur nga ALUIZNI, e cila do të shërbejë për të realizuar adresarin e plotë, i cili do të ecë paralel edhe me projektin e aplikimit për kartat elektronike të identitetit, paraqet mjaft vështirësi. “Janë disa sipërfaqe të konsiderueshme të territoreve të njësive vendore që janë lënë jashtë vijës së verdhë të tyre, çka na e vështirëson punën për realizimin në kohë dhe sipas standardeve të projektit të adresave”, pohoi ai. Ndërsa në lidhje me logjistikën e zyrave dhe të bazës materiale për aplikimin e qytetarëve për kartat e identitetit, disa njësi vendore nuk e kanë luksin që të bëjnë sërish rikonstruksionet e duhura. Sipas tyre, nuk kanë mbështetjen e duhur me mjetet e nevojshme financiare nga qeveria qendrore. r.d