Kapet 21-vjeçari,vodhi 8 banesa për një muaj
TIRANE – Tetë banesa të vjedhura në një muaj, bie në pranga 21-vjeçari, Ditar Cerjani. Policia e kryeqytetit pohoi dje se është arrestuar i riu Cerjani me origjinë nga Dibra dhe banues në kryeqytet, i cili dyshohet se është autori i 8 vjedhjeve të kryera për një muaj në banesa të ndryshme në zonën midis fushës së aviacionit dhe rrugëve “Don Bosko” dhe “Jordan Misja”. Por nuk kanë munguar edhe disa “goditje” të tjera të 21-vjeçarit në Kamëz dhe në rrugën “Myslym Keta”. Pas shoqërimit të tij në polici ka rezultuar se ai kishte vuajtur dy dënime të tjera më parë, një në vitin 2005 dhe një tjetër në vitin 2006, ku ishte dënuar 9 muaj dhe një vit burg për vjedhje banesash në mënyrë të përsëritur. Por në të dy rastet ai kishte përfituar ulje të 1/3 së dënimit nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar në proceset në ngarkim të tij. Kjo ulje, duke i shtuar edhe llogaritjen e kohës së paraburgimit, ka bërë që ai të vuajë në qeli vetëm pak muaj. Burime të policisë së kryeqytetit pohojnë se, është dokumentuar aktiviteti kriminal i 21-vjeçarit Cerjani në lidhje me vjedhjen e tetë banesave. Rreth një muaj më parë, më datë 10 gusht mendohet se ai ka vjedhur një banesë pranë fushës së aviacionit. Dy ditë më vonë ka vjedhur një tjetër banesë në rrugën “Myslym Keta”. Ndërkohë më datë 18 gusht, duke përfituar nga mungesa e pronarëve, ka vjedhur dy banesa një në rrugën “Jordan Misja”, e tjetrën në Unazën e Re. Gjithashtu, sipas policisë, Cerjani akuzohet të jetë autor edhe i vjedhjes disa banesa të tjera më 18, 22 e 28 gusht, si dhe më një shtator. Ndërkohë, dy ditë më parë ka vjedhur 200 mijë lekë në Kamëz. fa.ma.